Kujtohet 29 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut

Më 7 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, kishte filluar një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë.

Sot pas 29 viteve, liderët e vendit e kanë kujtuar Kushtetutën e Kaçanikut, ndërsa disa prej tyre shkuan edhe për vizitë në Kaçanik.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka kujtuar delegatët që sipas tij në rrethana të rënda okupimi kanë treguar guxim qytetar për liri dhe pavarsi.

“Para 29 viteve delegatët e Kosovës në Kaçanik aprovuan dokumentin më të rëndësishëm politik dhe juridik të asaj kohe, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si shprehje të vullnetit politik të qytetarëve shumicë. Sot, me konsideratë të lartë kujtojmë të gjithë delegatët që në rrethana të rënda okupimi treguan guxim qytetar dhe artikuluan aspiratën tonë kombëtare dhe politike për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Thaçi.

Kushtetutën e Kaçanikut e ka kujtuar edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka shkuar në vizitë në këtë qytet.

Për Kushtetutën e Kaçanikut ka shkruar edhe i pari i Nsimës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili përmes një postimi në facebook, ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut, është një nga ngjarjet dhe datat me të rëndësishme në historinë tonë me të re.

“Ajo zë vend të rëndësishëm në historinë e Republikës së Kosovës duke u paraprirë ngjarjeve tjera të mëdha të cilat çuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.Kujtojmë të gjithë ata delegatë që dhanë kontributin e tyre në miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Kushtetutës së Kaçanikut”, ka shkruar Limaj.

Ndërsa kandidati për kryeminstër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, shpalljen e Kushtetutës së Kaçanikut e ka konsideruar si moment historik për popullin tonë.

“Pas deklaratës së 2 korrikut, 7 shtatori i vitit 1990 i dha një kthesë të re historike përpjekjeve gjithëpopullore për liri e pavarësi. Përkundër persekutimeve të vazhdueshme, guximi dhe organizimi ynë për t’i dhënë fund ish-Jugosllavisë sa vinte e bëhej më i madh. Këto përpjekje kulmuan me krijimin e rezistencës sonë të armatosur, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e shtetit tonë të pavarur e sovran, që sot e gëzojmë të lirë. Sakrifica e shumë gjeneratave, të cilave u jemi përjetësisht mirënjohës, ka bërë që ne ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë. Të kaluarën e lavdishme e kemi të përbashkët dhe bashkë duhet ta ndërtojmë edhe të ardhmen, për çdo qytetar, për shtetin tone”, ka shkruar Veseli.