Kujdes, në treg po qarkullojnë para të falsifikuara, ja cilat kartëmonedha janë më të dyshuarat

Pesë raste të dyshuara të parave të falsifikuara, janë paraqitur në raportin policor të ditës së sotme. Dyshimet për qarkullim të parave të falsifikuara, sipas Policisë, kanë ndodhur në raste të ndryshme.

Kartëmonedha më e dyshuar që të jetë e falsifikuar, del të jetë ajo prej 100 eurove.

Në Mitrovicë, një zyrtar i bankës, ka informuar se ditë më parë janë deponuar 1,400 euro, përkatësisht 14 monedha nga 100 euro, për të cilat dyshohet se janë para false.

Dy raste të tjera janë lajmëruar më 19 gusht në Prishtinë. Në njërin rast një punëtore e një marketi ka informuar forcat e rendit, se ka pranuar një monedhë prej 100 eurove dhe ka dyshuar që ajo mund të jetë e falsifikuar.

Përderisa rast për 100 euro të dyshuara, ka lajmëruar edhe një zyrtare e një banke tjetër.

Gjithashtu, në Graçanicë, një arkëtare në bankë, ka njoftuar Policinë se gjatë numërimit të parave ka vërejtur një monedhë 100 euroshe, mund të ishte false. Për këtë rast, Policia thotë se është intervistuar një i dyshuar.

Një rast tjetër i veprës penale “monedhë e falsifikuar” është hapur edhe në Gjilan, më datën 16 gusht.

Një burrë, zyrtar në bankë, ka informuar Policinë se nga një person i panjohur është deponuar një kartëmonedhë prej 500 eurove, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Monedha është konfiskuar, ndërsa me vendim të Prokurorit, ky rast ka shkuar në procedurë të rregullt.