Ilustrim

Mijëra euro false dyshohet se u deponuan në disa banka, tre raste u raportuan 24 orët e fundit 

Dy raste në regjionin e Prishtinës e një në Gjilan të falsifikimit të parasë po hetohen nga organet e ndjekjes. 

Kjo pasi që zyrtarë bankarë raportuar se u deponuan bankënota e monedha metalike të falsifikuara. 

Në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme një zyrtar për menaxhimin e parasë në një bankë ka dorëzuar 3 mijë e 676 euro bankënota dhe monedha metalike që dyshohet se janë të falsifikuara. 

Sipas ankuesit paratë janë deponuar në bankë nga disa kompani vendore dhe një person i panjohur. 

Policia tashmë ka marrë në trajtim rastin dhe është duke e hetuar. 

Një rast tjetër është raportuar në nga një zyrtare e një banke në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë. 

Sipas zyrtares, arkatare në bankë, janë deponuar 532 monedha metalike të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. 

Edhe për këtë rast policia tashmë ka nisur ta trajtoj rastin. 

Në Gjilan, një arkatare e një banke ka raportuar se në bankomatin e bankës një klient ka deponuar 700 euro, prej tyre 400 dyshohet se janë të falsifikuara. 

Monedhat janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar. 

Kujtojmë se në në periudhën e fundit të vitit të kaluar nisi pati shqetësime në lidhje me vurjen në treg të monedhave të shumta të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara. 

Madje për një periudhë të shkurtë, monedhat metalike 2 euro nuk pranoheshin nga shumë biznese nën dyshimin se ishin të falsifikuara.