Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve tregon se për çka po paguajnë pensionistët nga tre euro

Niazi Gashi, kryetar i Lidhjes së Organizatave Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, ka thënë se nëpër disa komuna të vendit, pensionistët janë duke paguar për anëtarësi nëpër këto organizata.

Ai në emisionin KallxoPërnime, ka thënë se pasi që të anëtarësohen, pensionistët aplikojnë që të bëhen pjesë e padisë ndaj Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar kompensim në pensione për shkak të inflacionit.

“Pensionistët obligohen me pagu anëtarësinë në vit – 3 euro, nëse dojnë të jenë anëtarë të organizatës pensionale të komunave, që është diçka që ekziston prej paslufte e këtej. Ajo nuk është për procedura juridike që ka filluar tani në Kosovë, por që Organizata Komunale e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës t’i merr obligimet që të realizojë të drejtën e tij përmes rrugëve ligjore, ai duhet të jetë anëtar. Ata që nuk janë anëtarë, nuk ka kurrfarë obligimi shoqata ndaj tyre, ata që nuk janë të anëtarësuar” – ka thënë Gashi.

Në pyetjen pse në Prizren pensionistët për të njëjtin qëllim nuk po paguajnë para dhe në Malishevë po, ka thënë se “në Prizren janë më të organizuar pensionistët”.

“Në Prizren nuk kanë kërku, por në Prizren janë më të disiplinuar dhe më të organizuar pensionistët se sa qendra të tjera dhe sigurisht që nuk ja kanë kërku. Ne kemi mbajtur një mbledhje të kryesisë, ku ka qenë edhe kryetari i Organizatës së Pensionistëve të Prizrenit dhe ai i Malishevës nuk ka qenë sepse nuk është anëtar i kryesisë. Por ata anëtarët e organizatave të regjioneve, informojnë nëpër komunat më të vogëla për vendimet që i ka marrë kryesia. Në kryesi është marrë vendim që të procedohen vetëm ata që janë anëtarë të organizatave” – ka thënë Gashi.

Në edicionin e së premtes në KallxoPërnime po transmetohet Reportazhin mbi Dyshimet për pensionet.

Si pensionistët ja kanë mësyrë qendrave nëpër komuna me shpresën se kanë me marrë shtesa prej Qeverisë? Çka po ndodhë nëpër këto qendra dhe a janë të informuar pensionistët për çka po aplikojnë?

Ndërsa në pjesën e dytë të emisionit po transmetohet debati me temë pensionistët dhe problemet e komunave për kompensimin e pagave të mësimdhënësve.

Sa para detyrohen të paguajnë komunat për komensimin e pagave për mësimdhënës? Ku i marrin ato para komunat? Sa po dëmtohet buxheti i shtetit me procedura të panevojshme administrative?