Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i bordit të RTK-së: Agjencia Kundër Korrupsionit na ka thënë se Fetahu s’ka konflikt interesi

Kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, para deputeteve të Komisionit për Media tha se Agjencia Kundër Korrupsionit, ka thënë që nuk ka pasur konflikt të interesit në rastin e emërimit të Alban Fetahut në pozitën e drejtorit të Shërbimeve të Përbashkëta.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) që nga emërimi i Fetahut në pozitën e drejtorit të Shërbimeve të Përbashkëta në tetor të vitit 2022 ka kërkuar përgjigje nga Agjencia Kundër Korrupsionit nëse emërimi i tij është konflikt interesi, për shkak se në dokumentet publike të AKK-së, Fetahu figuron në pozitën këshilltar.

Fetahu kishte qenë pjesë e Ministrisë së Tregtisë në pozitën e këshilltarit politik dhe më pas kishte qenë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në EXPO DUBAI.

“Alban Fetahu ka qenë i punësuar në pozitën Këshilltar politik në MINT nga data 24.09.2021, ndërsa me datë 25.09.2021 emërohet Komisioner i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Expo 2020 në Dubai  vendim ky i lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ)”- thuhet në përgjigjen e MINT për KALLXO.com.

AKK më 7 prill 2023 ka thënë për KALLXO.com që rastin e Fetahut janë ende duke e trajtuar dhe nuk ka vendosur ende.

“Në kuadër të veprimeve për trajtimin e këtij rasti konkret , Agjencia ka iniciuar procedurat duke kontaktuar institucionin gjegjës për informacion zyrtar në funksion të dokumentimit dhe analizimit të rastit të referuar nga ju dhe tashmë ka pranuar dokumentet e kërkuara. Për fund, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, bazuar në mandatin e saj, dokumentacion e shqyrtuar, në funksion të zbatimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, si dhe brenda afateve ligjore, do të dalë me përgjigje konkrete për rastin” – thuhet në përgjigjen e AKK-së për KALLXO.com.

Përderisa kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini në mbledhjen para Komisionit për media sot tha që AKK është përgjigjur që Fetahu nuk ka konflikt interesi.

Pas deklarimit të Boletinit, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Agjencinë Kundër Korrupsionit për të parë nëse kanë marrë vendim sa i përket rastit të emërimit të Fetahut.

KALLXO.com është në pritje të përgjigjeve nga AKK-ja dhe të njëjtat do të inkorporohen në tekst sapo të pranohen.

Alban Fetahu emërohet udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në RTK