Alban Fetahu emërohet udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta në RTK

Me shumicë votash bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka emëruar Alban Fetahun në pozitën e udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta.

Fetahu është propozuar nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për këtë pozitë.

“Fillimisht është hapur konkursi për këtë pozitë në të cilën kanë qenë katër kandidatë dhe pas intervistimit, Alban Fetahu ka rezultuar kandidati më i suksesshëm. Duke marrë parasysh përvojën e tij e shoh si aset të jashtëzakonshëm për vazhdimin e asaj që kemi paralajmëruar që do të ndodhë në Televizionin e Kosovës. Kjo pozitë është e rëndësishme sepse ka katër departamente nën ombrellë. Nuk ka pasur asnjë ankesë nga kandidatët. Është i papunë, ka qenë i angazhuar më parë në Ministrinë e Financave, më pas ka shkuar në Teksas për studime. Asnjë ditë të vetme nuk ka marrë para për pozitën  e këshilltarit të ministrit të Ekonomisë ”- tha drejtori i RTK-së.

Ndaj këtij propzimi është shprehur kundër anëtarja e bordit të RTK-së, Shukrije Rama, e cila ka thënë se ky propozimi u ka ardhur dje nga drejtori dhe se për të është kohë e pamjaftueshme.

Rama ka kërkuar kohë shtesë për votimin e kësaj pozite, për të cilën anëtarët e tjerë të bordit e kanë parë të panevojshme.

deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Alban Fetahu është deklaruar si ‘Komisioner i Përgjithshëm’ në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Në këtë deklarim thuhet se Fetahu gjatë periudhës së shërbimit do të punojë në Dubai.

“Shpenzimet e banimit dhe ushqimit mbulohen nga buxheti i EXPO 2020. Gjatë periudhës së shërbimit do të banoj në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe” – thuhet në deklarim.

Në formularin e deklarimit nga AAK, data e emërimit të Fetahut në këtë pozitë është 25 shtator 2021 ndërsa data e dorëzimit 31 mars 2022.

Ndërkaq në deklarimin e rregullt vjetor për vitin 2022 të publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Alban Fetahu është deklaruar si ‘Ministër Këshilltar’ në Expo-Dubai në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas Ligjit për shërbime të jashtme të Republikës së Kosovës neni 26 në lidhje me gradat diplomatike dhe konsullore thuhet se njëra ndër gradat diplomatike në shërbimet e jashtme është edhe ‘ministër këshilltar’. Mirëpo nuk është e qartë nëse është pozitë politike apo jo.