Kryeministri Rama lutet të nxirren të gjithë të ngujuarit nën gërmadha

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas më shumë se 24 orëve pas tërmetit që la të vdekur 24 persona e më shumë se 650 të lënduar, është lutur që të gjenden edhe njerëz të tjerë që ende vazhdojnë të qëndrojnë nën gërmadha.

Rama ka shkruar në Facebook se me lutjen që kjo ditë të nxjerrë jetë të tjera nga errësira e gërmadhave, ju uroj një frymëmarrje pak më të lehtësuar në familjen tuaj.

Rama në mbledhjen e sotme të kabinetit të tij qeveritar ka thënë se është impresionuar me punën profesionale dhe kapacitet që po tregon Forca e Sigurisë së Kosovës në kërkim-shpëtimin e të ngujuarve nën rrënojat e ndërtesave të rrëzuara.

 

Deri më tani nga tërmeti 6.4 ballë që tronditi Shqipërinë janë raportuar të vdekur 24 persona, mbi 650 të lënduar, derisa, edhe disa të tjerë po vazhdojnë të qëndrojnë të zhdukur nën gërmadha.

Ndërrkohë Shqipëria dhe Kosova sot janë në zi kombëtare për shkak të jetëve të humbura nga tërmetet që goditën Shqipërinë natën mes 25 e 26 nëntorit.

Në të gjitha institucionet flamujt janë ulur në gjysmështizë, ndërsa në Kosovë janë anuluar edhe aktivitetet festive për nder të Ditës së Flamurit.

Tërmeti goditi kryesisht qytetin e Durrësit dhe zonën e Thumanës ku u shembën disa pallate.

Bilanci i viktimave fatkeqësisht pritet të rritet pasi ka ende persona nën rrënoja.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të mërkurën, 27 nëntor 2019, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentit Thaçi.

Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

FOTO- Kërkimet nën rrënoja në Durrës