Kryeministri Kurti u takua me komandantin e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, zëvendësministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pritur në takim për herë të dytë brenda një jave gjeneral-major, Michele Risi, komandant i KFOR-it dhe këshilltarin e tij politik, Andrea Angeli.

Sipas një njoftimi për media, Kurti në këtë takim diskutoi mbi gjendjen e sigurisë në vend me rastin e përhapjes së virusit Corona dhe masave më të fundit të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë COVID 19.

Kurse, komandanti Risi, përderisa shprehu mirënjohje për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe KFOR-it, po ashtu shprehu edhe gatishmërinë për të thelluar atë. Ai nënvizoi se përball sfidës me të cilën po ballafaqohemi, bashkëpunimi ndërinstitucional është i patjetërsueshëm dhe se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët.