Kryeministri Hoti “i lut” qytetarët t'i respektojnë masat e Qeverisë

Kryeministri Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga qytetarët që detyrimisht të respektojnë masat kufizuese për parandalim të përhapjes së COVID19.

“Masat kufizuese DUHET të respektohen DETYRIMISHT. Inspektorati dhe policia janë në shërbim 24 orë pa pushim. Mjekët, infermierët dhe stafi mbështetës janë të sfilitur, por në ballë të detyrës dhe në rrezik permanent për jetën e tyre” ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se situata epidemiologjike në Kosovë është e rëndë me numrin e rasteve të infektuara që mbetet i lartë dhe rastet e vdekjeve janë të shumta.

“Megjithatë, beteja me këtë pandemi nuk fitohet vetëm nga mjekët, infermierët, policia dhe inspektorati. Kjo është betejë e të gjithëve neve, e secilit qytetar” ka thënë tutje Hoti.

Sipas tij duhet vetëdijesim i lartë për të ruajtur shëndetin publik, përndryshe do të përballemi me situatë dëshpëruese.

“Duhet të gjejmë kurajo për fëmijët tanë, që duhet të fillojnë mësimin së shpejti, si dhe për prindërit tanë që po vuajnë më së shumti’ shkruan Hoti.