Ilustrim

Kriza Rusi - Ukrainë: Zhvillimet e fundit

Disa prej liderëve botërorë u angazhuan të hënën për diplomci intenzive për parandalimin e një lufte midis Rusisë dhe Ukrainës ndërkohë që veprimet kërcënuese të Rusisë në kufirin e fqinjit të saj vazhduan ende pa ndërprerje.

Në vijim mund ta lexoni një vështrim se çfarë po ndodh, ku dhe pse:

Nga Moska në Washington

Presidenti rus Vladimir Putin u kthye në Kremlin pas përpjekjes së tij diplomatike për të marrë mbështetje nga Kina gjatë fundjavës atje ku edhe po bahen Lojërat Olimpike Dimërore. Putin ka qenë nikoqir i takimit kryesor të ditës të hënën, ndërkohë që homologu i tij francez Emmanuel Macron vizitoi Moskën në një mision për uljen e tensioneve.

Presidenti Joe Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u takuan në Shtëpinë e Bardhë për t’i dhënë përkrahje vendosmërisë perëndimore kundër asaj që ata e shohin si agresion rus kundër Ukrainës. Biden veçoi në mënyrë eksplicite projektin e gazsjellësit të njohur si Nord Stream 2, i cili do të sjellë gaz shtesë rus në Evropë dhe mund të certifikohet nga Gjermania për të operuar këtë verë. “Nuk do të ketë më Nord Stream 2” nëse Rusia pushton më tej Ukrainën, tha Biden. Scholz nuk e përmendi tubacionin, por tha se Gjermania dhe SHBA janë “absolutisht të bashkuara” në synimin e tyre për të vendosur sanksione ndëshkuese ndaj Rusisë nëse ajo pushton Ukrainën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, thanë më herët se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mbetën të unifikuara jo vetëm për natyrën e kërcënimit rus ndaj Ukrainës, por edhe për pasojat me të cilat Rusia do të përballej nëse do ta pushtonte atë. Ata mbrojtën gjithashtu paralajmërimet gjithnjë e më të tmerrshme se një pushtim rus mund të jetë i afërt.

Vlerësimet perëndimore se më shumë se 100,000 trupa ruse janë grumbulluar pranë Ukrainës po i shtojnë shqetësimet se një ofensivë ruse mbi Ukrainën mund të jetë vetëm disa ditë larg nga të qenit realitet.

Në të njëjtën kohë, kufijtë e vendeve të NATO-s që janë afër Rusisë gjithashtu po forcohen. Gjermania, e cila shpesh akuzohet se është shumë e paqëndrueshme ndaj Moskës, dhe Britania e shtuan këtë përpjekje të hënën, dhe vetë NATO gjithashtu ka plane.

Franca në përpjekje të madhe për deshkallëzim të situatës

Edhe nëse Bashkimi Evropian prej 27 vendesh si bllok ka pasur pak ndikim në krizën mbi Ukrainën, Franca ka ndjerë gjithmonë se mund të shtyjë përpara një progres në ngërçin Lindje-Perëndim, dhe Makron është mishërimi i këtij besimi. Prioriteti i tij është i thjeshtë – “dialogu me Rusinë dhe de-përshkallëzimi”.

Sfida kryesore e Makron është të sigurohet që gjërat të mos përkeqësohen në terren “përpara se të ndërtohen gjeste dhe mekanizma besimi”. Në një intervistë me gazetën franceze Journal du Dimanche, ai tha se Putini mund ta bëjë Ukrainën vetëm një mjet për të arritur një qëllim më të madh.

“Objektivi gjeopolitik i Rusisë sot nuk është qartësisht Ukraina, por t’i qartësojë rregullat e bashkëjetesës me NATO-n dhe BE-në”, tha Makron. Edhe nëse siguria e Ukrainës nuk mund të jetë një mjet pazari, Makron tha se “është gjithashtu legjitime që Rusia të shtrojë çështjen e sigurisë së saj”.

Pas Francës, radhën e ka Gjermania 

Franca dhe Gjermania kanë punuar së bashku më parë. Shtatë vjet më parë, ato ishin vendet kryesore në arritjen e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën lindore në një përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve midis forcave të qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia që shpërthyen në vitin 2014 pas aneksimit rus të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas e kanë quajtur atë marrëveshje paqeje të pafuqishme dhe përçarëse, megjithatë i pat bërë palët t’i ulin armët.

Gjermania është kritikuar se është e ngadaltë dhe me gjysmë zemre në qasjen e saj ndaj krizës së Ukrainës, megjithatë të hënën, buldozeri ekonomik i Evropës po lëvizte në fronte të ndryshme. Ndërkohë që kancelari Scholz po bëhej gati për takimin e tij me Biden, Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock pati takime të planifikuara në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe do të vizitojë “vijën e kontaktit” me separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore të martën.

Shfaqja e solidaritetit të Gjermanisë vjen mes tensioneve mbi refuzimin e Berlinit për të dërguar armë në Ukrainë. Megjithatë Baerbock tha se “ne qëndrojmë pranë integritetit territorial të vendit dhe në krah të njerëzve në Ukrainë”.

Baerbock shtoi se “së bashku, ne do të reagojmë me masa të forta dhe shumë konkrete ndaj çdo agresioni të mëtejshëm rus kundër Ukrainës”.

Për të treguar se përpjekja diplomatike franko-gjermane nuk ka përfunduar, Scholz do të takohet me Makronin dhe homologun e tyre polak Andrzej Duda për të diskutuar krizën Rusi-Ukrainë të martën.

Kjo do t’u japë mundësinëtë tre udhëheqësve t’i krahasojnë të dhënat e tyre pas takimit të Scholz me Biden në Uashington të hënën dhe udhëtimit të Macron në Rusi dhe Ukrainë të hënën dhe të martën.

Më shumë trupa si përforcim në frontin lindor të NATO-s

Gjermania është po ashtu në mendim e sipër të dërgimit të më shumë trupave në Lituani, duke e përforcuar potencialisht praninë e saj në krahun lindor të NATO-s. Ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht ka ngritur këtë mundësi përpara takimit të Scholz me Biden.

Udhëheqësi gjerman do t’i presë të enjten liderët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, tre shtetet baltike që e ndjejnë posaçërisht rrezikun nga Moska, përpara se të udhëtojë për në Ukrainë dhe Rusi javën e ardhshme.  

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha gjithashtu se aleanca po e peshon një prani më të përhershme ushtarake në Evropën Juglindore.

“Ne po shqyrtojmë më shumë rregullime afatgjata për qëndrimin tonë, praninë tonë në pjesën lindore të aleancës”, u tha Stoltenberg gazetarëve pas bisedimeve me presidentin e Polonisë. “Nëse Rusia me të vërtetë dëshiron më pak NATO afër kufijve, ata marrin të kundërtën.”

Disa dhjetëra trupa dhe pajisje elitare amerikane u panë të zbarkuan të dielën në Poloninë juglindore pranë kufirit me Ukrainën, pas urdhrave të Biden për të vendosur 1700 ushtarë atje mes frikës së një pushtimi rus të Ukrainës.

Qindra trupa të tjera këmbësorie të Divizionit të 82-të Ajror pritet të mbërrijnë në aeroportin Rzeszoë-Jasionka, 90 kilometra (56 milje) nga kufiri i Polonisë me Ukrainën.

Si do të gjej më shumë gaz Evropa?

Kur bëhet fjalë për ndjesinë e nxehtësisë gjatë dimrit, Evropa është veçanërisht e varur nga furnizimet me energji të Rusisë. BE-ja po ankohet gjithashtu se Moska nuk ka qenë e gatshme me dërgesa shtesë të gazit në Evropë, kur logjika e tregut, me çmimet e saj të larta të tanishme, do ta bënte atë diçka të pamenduar mirë.

Mbi 40% e furnizimeve të Evropës me gaz vijnë nga Rusia. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha në prag të takimit të energjisë BE-ShBA të së hënës në Uashington se “Rusia ka përdorur tashmë në të kaluarën furnizimet me energji për qëllime politike”. Tani, blloku 27-vendesh ka nevojë të madhe t’i diversifikojë burimet e tij të gazit dhe po e gjen mbështetjen në Uashington.

“Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar në lehtësimin e çdo ndërprerjeje në furnizimin me energji të Evropës, dhe në të vërtetë, ne tashmë jemi duke e bërë këtë,” tha Blinken, duke shtuar se Uashingtoni është në bisedime me prodhuesit dhe shtetet kryesore në mbarë botën./AP