Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, rezerva ushtarake e Forcave të Armatosura të Ukrainës, marrin pjesë në një stërvitje ushtarake pranë Kievit më 25 dhjetor 2021.  -  AFP 

Kriza Rusi - Ukrainë: Zhvillimet e ditës së premte

Manovrat dhe stërvitjet ushtarake ruse pranë Ukrainës po vazhdonjë ende duke i përshkallëzuar edhe më shumë paralajmërimet e tmerrshme amerikane për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, duke thënë se një pushtim mund të ndodhë brenda disa ditësh.

Diplomatët dhe udhëheqësit e qeverive të ndryshme, ndërkohë, po përpiqen gjithnjë e më shumë për ti nisur bisedimet e pafundme në mënyrë që ta shmangin një luftë në shkallë të gjërë.

Në vijim e gjeni një vështrim se çfarë po ndodh ku dhe pse:

Paralajmërime të zymta nga Shtëpia e Bardhë

Shtëpia e Bardhë tha se ende nuk e dinte nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një vendim për ta pushtuar Ukrainën, por tha se Putini i ka mbledhur të gjithë elementët për ta bërë këtë shpejt dhe u bëri thirrje urgjente amerikanëve në Ukrainë që të largoheshin brenda 48 orëve të ardhshme.

Shumë analistë kishin besuar se çdo pushtim nuk kishte gjasa të fillonte derisa të përfundonin Lojërat Olimpike Dimërore në Kinë tw cilat do të përfundojnë më 20 shkurt.

Retorika e shtuar e ShBA-së e pasoi inteligjencën e re që tregoi një shtim tjetër të trupave ruse pranë kufirit ukrainas dhe fillimin e stërvitjes së madhe ushtarake ruse në Bjellorusinë fqinje.

Në një demonstrim të përkushtimit amerikan ndaj aleatëve të NATO-s, Pentagoni po dërgon 3,000 trupa të tjera luftarake në Poloni për t’iu bashkuar 1,700 trupave tjerë që tashmë janë mbledhur atje, tha të premten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane. Zyrtari dha informacionin në kushte anonimiteti përpara një njoftimi zyrtar.

Përgatitja dhe pozimi 

Në portin e Konstancës të Rumanisë në Detin e Zi, gjëmimi i materialit të rëndë ushtarak të ShBA-së po prishte qetësinë, shenja këto për përforcime dhe 1000 trupa të tjera po hynin në një bazë ajrore atje.

Ishte një tjetër tregues se prezenca ushtarake po forcohej rreth Detit të Zi strategjik ku Rusia, Ukraina dhe tre aleatë të NATO-s i kanë bazat e tyre.

“Prej këtu në rajonin e Detit të Zi, deri në Baltik, aleatët po e rrisin prezencën e tyre për ta përforcuar praninë e NATO-s në këtë kohë kritike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg nga Constanta. Fqinja e Rumanisë, Bullgaria do t’i mirëpresë gjithashtu avionët spanjollë për ta rritur praninë e fuqishme të aleancës.

Në ujërat e Detit të Zi, anijet luftarake të flotës balltike dhe veriore të Rusisë mbërritën në gjirin e Sevastopolit në Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014. Anijet i bashkohen disa anijeve të ngjashme që janë pjesë e flotës ruse të Detit të Zi, duke e rritur aftësinë e saj të uljes amfibe.

Moska ka njoftuar stërvitje gjithëpërfshirëse në Detin e Zi dhe Azov në ditët në vijim dhe ka mbyllur zona të mëdha për transportin tregtar, duke shkaktuar një protestë të ashpër nga Ukraina.

Jashtë kufirit verior të Ukrainës, Rusia dhe aleati i saj Bjellorusia po fillojnë lojëra luftarake 10 ditëshe, duke përfshirë stërvitje masive me municion të vërtetë.

“Ekziston rreziku për një pushtim të plotë,” paralajmëroi Stoltenberg, por shtoi se kërcënime të tjera fshiheshin gjithashtu, “përfshirë përpjekjet për ta rrëzuar qeverinë në Kiev”.

Bisedimet vazhdojnë ndonëse pa ndonjë progres 

Pavarësisht nga stuhia e fluturimeve që po e përshkojnë Evropën për t’i sjellë liderët së bashku rreth tryezave të diplomacisë gjatë javëve të fundit, rezultatet kanë qenë shumë më pak spektakolare pasi të dyja palët vazhdojnë të presin që të shohin se kush do ti mbyllë sytë e pari mbi këtë çështje.

Lajmi i vetëm pak pozitiv të premten dukej se doli nga Moska, ku sekretari britanik i mbrojtjes Ben Wallace tha se kishte pasur një diskutim “konstruktiv dhe të sinqertë” me homologun rus Sergei Shoigu.

“Dëgjova qartë nga qeveria ruse se nuk kishin ndërmend ta pushtonin Ukrainën”, u tha Wallace gazetarëve në Moskë. Ai shtoi: “Ne do ta gjykojmë atë deklaratë në bazë të provave”.

Bisedimet në Berlin midis Ukrainës dhe Rusisë, të cilave iu bashkuan Franca dhe Gjermania, në fillim dhanë shpresa për njëfarë progresi ndërsa zgjatën deri në mëngjesin e së premtes, por në fund, asgjë e dukshme nuk doli.

“Fatkeqësisht, gati nëntë orë bisedime kanë përfunduar pa ndonjë rezultat të rëndësishëm”, tha zëvendës shefi i shtabit rus Dmitry Kozak. Mbeti e paqartë se kur dhe si do të bëhej përpjekja e radhës për një progres.

Një marrëveshje paqeje e vitit 2015 e ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania në një format të ngjashëm të ashtuquajtur të Normandisë ndihmoi në ndalimin e betejave në shkallë të gjerë në Ukrainën lindore midis forcave qeveritare dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia, por përleshjet e rregullta kanë vazhduar. Kremlini ka akuzuar Kievin për sabotim të marrëveshjes dhe zyrtarët ukrainas argumentuan javët e fundit se implementimi i saj do ta dëmtonte vendin e tyre.

New Melburn, Australi, Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken dukej pesimist.

“Ne kemi bërë çdo përpjekje të mundshme për t’u angazhuar me Rusinë, për t’i parë shqetësimet që ajo ka ngritur, për t’i ndarë shqetësimet që kemi, që kanë partnerët dhe aleatët evropianë,” tha ai. Por hendeku me Moskën mbetet i zbehtë.

“Thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit rus, duke përfshirë forcat e reja që mbërrijnë në kufirin ukrainas. Dhe siç thamë më parë, ne jemi në një dritare kur një pushtim mund të fillojë në çdo kohë”, tha Blinken.

Më vonë të premten, presidenti Joe Biden foli me një numër liderësh evropianë për t’i nënvizuar shqetësimet e ngritura nga inteligjenca amerikane në lidhje me afërsinë e mundshme të një pushtimi rus. Këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se liderët perëndimorë ishin plotësisht të bashkuar dhe do t’i përgjigjeshin ashpër një pushtimi rus me sanksione shkatërruese ekonomike dhe tregtare./AP