Kriza në Afganistan: Afganët përballen me 'pushtimin' e Talibanëve

Afganët që jetojnë në Kabul, janë zgjuar në ditën e tyre të parë nën sundimin taleban.

Talebanët hynë në kryeqytet të dielën përderisa qeveria u rrëzua dhe presidenti Ashraf Ghani iku jashtë vendit.

Luftëtarët talebanë janë parë nëpër rrugët e qytetit, ndërsa qindra civilë kanë vërshuar drejt aeroportit ndërkombëtar të cilët po përpiqen me dëshpërim të largohen nga vendi.

Disa dëshmitarë kanë treguar për BBC që së paku dy civilë janë vrarë, derisa me qindra njerëz që po tentojnë të largohen nga Afganistani po vazhdojnë të mblidhen në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabul-it.

Disa nga shtetet perëndimore kanë angazhuar fluturimet e evakuimit nga kryeqyteti.

Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë ka konfirmuar se fluturimi i parë i evakuimit ka mbërritur me shtetasit çekë, bashkëpunëtorët afganë dhe familjet e tyre në bord.

Gjermania njoftoi fillimin e fluturimeve jashtë Afganistanit të dielën në mbrëmje, me avionë ushtarakë të cilët janë dërguar për të ndihmuar në evakuimin e qytetarëve gjermanë dhe disa punonjësve afganë të hënën në mëngjes.

Franca dhe Zelanda e Re po ashtu kanë thënë se janë duke punuar që të nxjerrin shtetasit e tyre nga vendi.

Sekretari i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Ben Wallace ka pranuar se ‘disa njerëz nuk do të kthehen’ nga Afganistani, ndërsa ka përpjekje të vazhdueshme për të nxjerrë shtetasit britanikë dhe aleatët vendas nga vendi.