COVID-19, për një javë: 76 qytetarë të vdekur, 4,908 të infektuar dhe 4,736 të shëruar

Përhapja e infeksionit SARS-CoV-2, muajve të fundit është shqetësuese. Brenda ditës shifrat e rasteve pozitive ka arritur deri në afër 1,000.

Numri më i lartë i rasteve pozitive u shënua më 1 prill 975 të tillë, përderisa po atë ditë 12 persona kanë vdekur si pasojë e infeksionit.

Përveç rasteve pozitive në Kosovë alarmante është edhe numri i të vdekurve të prekur me coronavirus.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shtat ditë, 1- 7 prill, 76 persona kanë vdekur si pasojë e infeksionit me coronavirus. Në po këto data janë regjistruar 4,908 të infektuar, përderisa 4,736 qytetarë të tjerë janë shpallur të shëruar nga infeksioni.

Në anën tjetër, shqetësues janë edhe rastet aktive me SARS-CoV-2, aktualisht janë 13,903 raste aktive në nivel vendi.

Gjendja e pacientëve me COVID-19 në Klinika dhe Spitale Rajonale

Sipas raportit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës 917 pacientë janë duke u trajtuar nëpër shtatë klinikat e destinuara për COVID-19 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Klinika Infektive ka 115 pacientë, Klinika Infektive II apo Mjekësia Sportive 85 pacientë, Klinika Infektive III apo Interno ka 59 pacientë, Klinika e Pulmologjisë 79 pacientë, Klinika e Gjinekologjisë 5 pacientë, Mjekimi Intensiv për coronavirus 12 pacientë, Klinika e Pediatrisë 19 pacientë.

15 pacientë janë në gjendje të rëndë, 319 me oksigjeno-terapi.

Përveç klinikave në QKUK, pacientë për coronavirus janë duke trajtuar edhe shtatë spitalet rajonale në vend.

Në raport thuhet se 543 pacientë janë duke u trajtuar nëpër spitale, prej tyre 21 janë në gjendje të rëndë shëndetësore si dhe 415 me oksigjeno – terapi.

Kosova 10 ditë më parë ka filluar vaksinimin me vaksinën kundër coronavirusit, “AstraZeneca”. Në fazën e parë të vaksinimit Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 400 persona nga stafi shëndetësor janë vaksinuar me “AstraZeneca”.

Vaksinimi, dobia dhe reaksionet e mundshme të ‘AstraZeneca’