Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Krasniqi pret që procesi i zgjedhjeve të reja në veri 'të determinohet ditëve në vijim'

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë se procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës do të determinohet gjatë ditëve në vijim.

Ai nuk dha detaje lidhur me punën e bërë deri më tani nga grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ që mundëson nisjen e peticionit për largimin e kryetarëve të komunave pasi që tha se udhëzimi administrativ do të jetë gati në fund të muajit.

“Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, tha Krasniqi për media pas përurimit të punimeve për zgjerimin e një rruge në Gjakovë.

“Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës apo cilindo kryetar të Kosovës”, shtoi ai.

Krasniqi tha se grupi punues ka pasur dy takime deri më tash. Më herët, ai kishte thënë se ky udhëzim administrativ do të jetë gati në shtator.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut – janë kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri, që është përkeqësuar gati tre muaj më parë.

Në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – janë shqiptarë. Serbë lokalë kanë protestuar që nga 29 maji kundër hyrjes së tyre në objektet komunale.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

“Në këtë referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 për qind e trupës votuese, plus një. Kështu që kjo është baza ligjore që del dhe buron nga Ligji për vetëqeverisje lokale”, tha Krasniqi.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye./REL