Krasniqi - Kurtit: Çka ka, çka s’ka? A ka Zajednicë apo Asociacion?

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pyetur kryeministrin e vendit, Albin Kurtin se nëse ka Zajednicë apo Asociacion?

Krasniqi duke komentuar deklaratat e Kurtit, tha se një fjali e tij, sipas Krsaniqit, e ka përmbytur jetën politike të kryeministrit.

“Sot jemi dëshmitar të degradimit esencial të krejt procesit të dialogut dhe pyetja e parë që duhet të ja bëjmë kryeministrit është “çka ka çka s’ka”? A ka zajednicë, a ka Asociacion? Sepse me një fjali mbrëmë e ka përmbysë krejt jetën e tij politike por unë së paku e uroj për sinqeritetin e tij sepse po, siç tha mbrëmë ka asociacion dhe ka pasë sa herë ky ka thënë që nuk ka. Loja me fjalë e ka skadimin”- tha Krasniqi.

“Kapërcimin më të madh në politikën shqiptare e ka bo Albin Kurti kur ka kalu me këtë pajtim prej “Vetëvendosje, jo negociata” në “Po negociata, e vetëvendosje për serbët e Kosovës”. Kryeministri nuk ka bë tradhti kombëtare po ndaj votuesve e militantëve të vetë se ju ka premtu që nuk ka me pasë Zajdenicë”- shtoi ai.

Kryetari i PDK-së tha se ka përkrahur Kurtin në procesin e dialogut për dy vite, teksa u shpreh se tashmë ndërkombëtaret e kanë humbur ambicien për marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë.

“Këtu është problemi, krejt komuniteti ndërkombëtar e ka humbë ambicien për me arritë marrëveshjen finale, e ka humbë sepse për dy vite është ballafaquar me një njeri që i ka shpërfillë ka qenë arrogant, nuk është koordinua e ka mëndu që mundët gjithë botën me bindë që me verpu qysh don e qysh mendon ky edhe pse është tërheqë prej secilit premtim. Partnerët ndërkombëtar kanë hekë dorë prej qëllimit për marrëveshje finale”- theksoi ai.

Krasniqi thotë se neni 7 i marrëveshjes është problemi kryesor, pasi sipas tij ajo nënkupton autonomi politike për komuniteti serb.

“Neni 7 është problemi kryesor sepse kushdo mund të arsyetojë sido që të dojë, por në dy paragrafë të atij neni teksti është i qartë, autonomi politike për komunitetin serb dhe ekstra territorialitet për Kishën Ortodokse Serbe. Ka autonomi politike me kompetenca ekzekutive po”- ka thënë ai.

“Ky mund t’i thotë vetë-menaxhim, vetë-qeverisje ama është vetëvendosje e këtu është ironia e fatit, sot ka degradu në vetëvendosje jo për shqiptarët por për serbët e Kosovës për me kriju një autonomi politike që me shkatërruar idenë se lëre më funksionalitetin e këtij shteti që e kemi kriju me aq mund”- deklaroi mes tjerash Krasniqi.

Kryeministri Kurti po raporton para deputetëve të Kuvendit për takimin e Ohrit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Ndërkaq, Kurti dje ka folur për ofertën që thotë se ia ka bërë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për vetë-menaxhim të serbëve të Kosovës në takimin e Ohrit.

Kreu i ekzekutivit tha se gjatë bisedimeve, i ka bërë ofertë palës serbe që nëse të njëjtit pranojnë tri shtylla bazike, Kurti është shprehur i gatshëm që të shkruaj draftin për vetë-menaxhimin.

“Për ketë formulimin e vetë-menaxhimit të komunitetit serb, dhe në anën tjetër këto marrëveshjet e trashëguara, e që kanë pësuar rrëzim nga institucionet tona e janë shkelur nga Serbia, unë kam bërë një ofertë konkrete, duke i thënë se nëse pala serbe është dakord që të pranoj tri shtylla bazike; Kushtetutën e Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe një qëndrim të Brukselit dhe Uashingtonit se çka është dhe nuk është asociacioni, unë jam i gatshëm të shkruaj draftin”- tha Kurti.

I pari i Qeverisë u shpreh se nuk ka pasur dakordim që të përfillen shtyllat e përmendura teksa shtoi se kishte “refuzim shumë të ashpër të ofertës”.

Kurti: Kurrë nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale