
Kurti: Kurrë nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa po raporton para deputetëve për takimin e Ohrit në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, u shpreh se ai asnjëherë nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale.
Sipas tij, marrëveshjet e mëhershme të Brukselit janë mbështetur në territorialitetin si element qenësor.
Ai tha se territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar.
“Unë kurrë asnjëherë, askund nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale, megjithëse marrëveshjet e mëhershme të Brukselit janë mbështetur në territorialitetin si element qenësor. Komunat nuk janë vetëm njësi administrative por edhe territoriale, prandaj territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar që nuk dihet ta lejojmë e as përsërisim”- tha Kurti.
Kurti tutje tha se qytetari është thelbi e jo territori, pavarësisht përkatësisë e identitetit, por gjithnjë brenda Kushtetutës.
Ai ka thënë se nuk mund t’i shmangë detyrimet nga traktatet ndërkombëtare, por ka shtuar se tekst më të mirë të marrëveshjes nuk ka mundur të arrihet.
Kryeministri i vendit tutje ka folur për dakordimin për ‘Planin franko – gjerman’, për të cilin sipas tij “ja vlente mundimi”, duke konsideruar se Kosova ka arritur diçka të rëndësishme dhe të pa kthyeshme.
Kurti tha se nuk ka besim të plotë që Serbia do të respektojë kushtet për të cilat është pajtuar në kuadër të takimeve.
“Serbia ka pranuar që ta trajtojë Kosovën si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Të mos kërcënoi me përdorimin e forcës dhe të u jap fund mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Ajo e ka pranuar këtë por unë ende nuk do i besoja plotësisht asaj”- tha Kurti.
Ai tutje tha se kjo është njohje ‘de facto’.
“E rëndësishme për ne është se palët tani do të konfirmojnë kushtet e deklaratës për personat e zhdukur me urgjencë. Të gjitha këto detyrime janë në fuqi”- tha tutje ai para deputetëve.
Kurti tutje tha se plani franko – gjerman është teksti i marrëveshjes më i mirë për Kosovën.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian se duhet ta bëjë këtë marrëveshje plotësisht të obligueshme.
“BE duhet ta gjejë mekanizimin për ta bërë plotësisht, ligjërisht, ndërkombëtarësh të obligueshme. Në këtë pikë dua të diskutoj me ju nëse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend dhe kur”- tha Kurti.
Kryeminitri i vendit po raporton sot në seancë të Kuvendit të Kosovës për takimin e 18 marsit në Ohër mes tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.