Iber Alaj. Foto: MKRS

KPMShCK kërkon kthimin në punën të drejtorit të Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alajt

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka anuluar vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për largimin nga puna të Drejtorit të Departamentit të Sportit në këtë ministri, Ibër Alaj.

Alaj ishte suspenduar nga puna në dhjetor të viti të kaluar, ndërsa një komision disiplinor i MKRS-së kishte kërkuar largimin tij nga shërbimi civil në ministri.

Pas këtij vendimi Alaj ishte ankuar në KPMShCK.

Pas shqyrtimit të ankesës së Alajt, ky këshilli ka miratuar pjesërisht ankesën, duke i kërkuar MKRS-së që ta ndryshojë vendimin e Komisionit Disiplinor.

KPMShCK i ka kërkuar MKRS-së që masa disiplinore të zëvendësohet me ndalimin e ngritjes në detyrë dhe mosrritje rroge për tre vjet për Alaj.

“Vendimi më KD Nr. 07/2021i datës 06.12.2021 i Komisionit Disiplinor i MKRS-së lidhur me masën e disiplinore ndaj ankuesit, ashtu që masa disiplinore ‘Largim nga Shërbimi Civil në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit’, zëvendësohet me masën disiplinore ‘Ndalim i ngritjes në detyrë, duke përfshirë këtu rritjen në shkallën e pagës për tre (3) vjet”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.

KPMSHCK-ja, vendimin e saj për ndryshimin e masës së disiplinore ndaj Alajt, e ka bazuar siç thuhet në vendim, edhe në shkeljet procedurale dhe ligjore të bëra nga organi i punësimit.

MKRS obligohet që brenda 15 ditë ta zbatojë këtë vendim, duke përfshirë edhe kompensimin e pagës për Ibër Alajn nga dita e pezullimit deri në ditën e zbatimit të këtij vendimi.

Ndërkaq, lidhur me këtë vendim, nga MKRS kanë thënë për KALLXO.com se do ta shqyrtojnë brenda afateve ligjore vendimn e KPMShCK-së.

“Afati ligjor për zbatimin e vendimeve të KPMShCK është 15 ditë pune nga dita e pranimit të tij dhe aktualisht ne jemi brenda këtij afati në të cilën kohë, do të merren të gjitha veprimet procedurale ligjore të lejuara me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të MKRS-së.

Këtu mund ta gjeni vendimin e KPMShCK-së për rastin e Ibër Alajt.

Iber Alaj pezullohet nga pozita e drejtorit të Departamentit të Sportit në MKRS