Kosova zyrtarizon trajnerin e ri të Kombëtares U19
Adil Maliqi, një ish-futbollist dhe trajner në disa klube në Zvicër është përzgjedhur trajner i Kombëtares U19 të Kosovës në futboll.
Lajmin e konfirmoi Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi.
“I pari i FFK-së Agim Ademi e ka zyrtarizuar sot përzgjedhësin e Kombëtares U19. Në këtë pozitë ai e ka emëruar Adil Maliqin. I njëjti e pason trajnerin Ramiz Krasiniqi, i cili tash e tutje do ta mbajë pozitën e koordinatorit në U19” – thuhet në njoftim.
Adil Maliqi i cili është lindur dhe rritur në Zvicër, ka të përfunduar akademinë e futbollit “Grasshopper Club Cyrih” dhe atë të “Fc Winterthur”. Si futbollist, Maliqi ka qenë aktiv në Ligën e Parë të Zvicrës deri në vitin 2012.
“Ai më pas ka drejtuar disa klube amatore në Zvicër dhe ka një përvojë 11-vjeçare si trajner. Fillimisht ai u përzgjodh zëvendës trajner në futbollin profesionist tek U15 në akademinë Wintertur, ndërsa më pas iu besua drejtimi i ekipit U17 me ç ‘rast kjo grup moshë nën drejtimin e trajnerit Maliqi shënoi suksesin më të madh ndonjëherë. Në karrierën e tij si trajner ai ka të fituar dy tituj me skuadrën “ SV Wyrenlos” në Ligën e Tretë të Zvicrës” – thuhet tutje në njoftim.
Trajneri Maliqi theksoi se pozita e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës është ëndërr e kamotshme e tij, derisa përfaqësimi i shtetit të Kosovës përbën krenari.