Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosova nënshkruan marrëveshje për misione ushtarake me trupat britanike

Kosova ka nënshkruar marrëveshje me Britaninë e Madhe për misione ushtarake jashtë vendit, të ushtarëve të Kosovës (FSK) bashkë me trupat ushtarake britanike.

Marrëveshjen e nënshkroi në Britani ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në takimin me ministrin e Forcave të Armatosura dhe Veteranëve, James Heappey.

Në këtë takim Mehaj njoftoi se është nënshkruar deklaratë e përbashkët ndërmjet ministrave për bashkë-zbarkimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet Mbretëria e Bashkuar me trupat e saj ushtarake.

“Ky takim, përveç konfirmimit të mbështetjes nga ana e Mbretërisë së Bashkuar në synimet tona për integrim në NATO, i paraprinë edhe planit tonë të bashkëpunimit për vitet në vijim” – ka thënë Mehaj.

Ai tutje tha se gjatë takimit ka ritheksuar qëndrimet e Kosovës kundër agresionit rus në Ukrainë, si dhe gatishmërinë e Kosovës për t’i dalë në ndihmë popullit ukrainas dhe për t’i ofruar mbështetje misioneve të NATO-s.

Ai tha se nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për bashkë-zbarkim është e arritur shumë e madhe e Republikës së Kosovës.

Sipas Mehaj kjo e rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave të Kosovës.