Kosova nënshkruan marrëveshje me BE-në për programin prej 1.56 miliardë eurosh

Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Europian për pjesëmarrje në programin e quajtur “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat’.

Sipas njoftimit, buxheti total i këtij programi për periudhën 2021 – 2027 është 1.56 miliardë euro, në kuadër të së cilit mund të përfitojnë të gjithë vendet anëtare të BE-së, si dhe vendet që kanë të drejtën e pjesëmarrjes.

Programi, që njihet me shkurtesën CERV, synon që të mbështesë dhe zhvillojë shoqëri të hapura, të barabarta dhe gjithëpërshirëse.

“Këtu përfshihet shoqëria civile e fuqizuar, përmes inkurajimit të pjesëmarrjes demokratike, qytetare e shoqërore dhe kultivimit të diversitetit të shoqërisë evropiane, bazuar në vlerat, historinë dhe kujtesën e përbashkët” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeminsitrit.

Po ashtu bëhet e ditur se përfitues të këtij programi mund të jenë institucionet publike në nivel qendror dhe lokal, si dhe organizatat e shoqësië civile dhe procesi i aplikimit bëhet drejtpërdrejt për grante në BE, për çdo thirrje të hapur.

Ky program ka katër shtylla:

Barazia, të Drejtat dhe Barazia Gjinore – ku përfshihet promovimi i të drejtave, mos diskriminimi, barazia (përfshirë barazinë gjinore) dhe avancimi i integrimit gjinor dhe jo-diskriminues; Angazhimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve – promovimi i angazhimit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike të Unionit, shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të shteteve të ndryshme anëtare dhe ndërgjegjësimi për historinë e përbashkët evropiane; Dafne (Daphne) – luftimi i dhunës, duke përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj fëmijëve; Vlerat e Unionit – ku përfshihet mbrojtja dhe promovimi i vlerave të Bashkimit Evropian.

Kosova mund të përfitojë vetëm në tri shtyllat e para, ndërsa në shtyllën katërt ‘Vlerat e Unionit’, jo.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e nënshkroi marrëveshjen në emër të Republikës së Kosovës këtë muaj, ndërsa Bashkimi Evropian e nënshkroi atë paraprakisht në datën 27 nëntor. Pas nënshkrimit, Qeveria e Republikës së Kosovës po vazhdon procedurat e tjera të nevojshme për të siguruar ratifikimin dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje” – ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.