Ilustrim

Kosova e Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për energjinë elektrike, KOSTT 'shkëputet nga ombrella serbe'

Në Tiranë, në selinë qendrore të Operatori i Sistemit të Transmetimit – OST u nënshkrua marrëveshja në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për energjinë elektrike.

Kjo marrëveshje është vlerësuar historike sepse Kosova del nga operatori rregullues i Serbisë.

“Ne si KOSTT, qe kemi qenë brenda Zonës Rregulluese të Operatorit Transmetues të Serbisë (EMS), brenda Bllokut Rregullues SMM (Serbi, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi), me nënshkrimin e kësaj marrëveshje me OST (Operatorin e Sistemit te Transmetimit të Energjisë Elektrike, Tirane) dhe që pritet të implementohet në Prill 2020, definitivisht shkëputemi nga ombrella e Zonës Rregulluese serbe (EMS), dhe futemi ne Bllokun Rregullues me OST (Shqipëri)”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në komunikatë thuhet që paraprakisht, për të njëjtën marrëveshje, në dijeni të ENTSO-E, KOSTT ka marrë pëlqimet edhe nga Rregullatorët Nacionale të Energjisë: Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) dhe Enti Rregullativ i Energjisë në Shqipëri (ERE).

Sipas komunikatës së KOSTT, Kosova me këtë marrëveshje të Bllokut Rregullues AK, definon dimensionimi e përbashkët të kapaciteteve të rezervave të energjisë elektrike brenda Bllokut AK (Shqipëri-Kosovë), ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimi do të jetë përafërsisht 4 milionë euro në vit.