Korenica: Vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë me vendos për të pasë fëmijë, assesi individi ose gruaja e pamartuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka propozuar një amandament për të ndryshuar Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Sipas tij, arsyetimi i këtij amandamenti është që vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë me vendos me vullnetin e tyre për të pasë fëmijë, assesi individi ose gruaja e pamartuar duke ia mohuar të drejtën fëmiut me pasë babë dhe nënë.

Ai tha se projektligji i jep të drejtën individit me vendos lirshëm, e Korenica tha se është kundër kësaj.

Korenica tutje ka thënë se kjo është e dëmshme për shoqërinë.

“Amandamenti 5 paragrafi 4 duhet të ndryshohet si në vijim. Çifti ka të drejtë të vendos lirisht por duke respektuar vullnetin e njëri-tjetrit nëse duan të kenë fëmijë. Për kohën pastaj, numrin e intervaleve të lindjeve dhe të informohen për mjetet e duhura për realizimin e tyre. Po jap edhe arsyeshmërinë. Ligji i cili na ka ardhë në draft për votim, thotë që i jep të drejtën edhe individit për me vendos lirshëm e ne jemi kundër kësaj që i është propozu dhe është shumë e dëmshme për shoqërinë tonë nëse lejojmë kështu me kalu. Arsyetimi është kështu, pra vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë me vendos me vullnetin e tyre për të pasë fëmijë, assesi individi ose gruaja e pamartuar duke ua mohuar të drejtën fëmiut me pasë babë dhe nënë. Kërkoj me mirëkuptim që ky amandament të përkrahet”- u shpreh ai.

Në mungesë të kuorumit ky amandament nuk kaloi.

“Vetëm 59 deputetë po marrin pjesë në votim. Mbetem në amendamentin e 5-të mos harroni kur t`i kthehemi votimit”- tha kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Për shkak të kësaj, Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor nuk është hedhur në votim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës më 23.05.2024..

Fillimisht Kuvendi nuk e miratoj amendamentin e katërt të këtij projektligji, të propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

“55 deputetë abstenuan, katër për, dy kundër”- nuk kalon amandamenti në fjalë.

Ky projektligj për të disatën herë tashmë, është shtyrë për një seancë tjetër.

Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023.

Në mars të vitit 2023, ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.

Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.