Kopshtari e mirëmbajtësi në Presidencë propozohet të paguhen më shumë se në institucionet e tjera

Roja, kopshtari dhe mirëmbajtësi në Presidencë do të paguhen më shumë sesa në të gjitha institucionet e tjera, ndonëse përgjegjësitë e punës i kanë të njëjta.

Sipas projektligjit të ri për paga këto pozita në presidencë kanë koeficientin 3.2.

Ndonëse me pozitë të njëjtë, nga institucioni në institucion, koeficienti për këta nëpunës dallon dhe shkon duke rënë.

Presidenca dhe Kuvendi funksionojnë në të njëjtin objekt, por roja, kopshtari dhe mirëmbajtësi që janë nëpunës të Kuvendit do të paguhen më pak se ata në Presidencë. Sipas draftit, propozimi për këtë kategori është 3.1.

Edhe në Zyre të Kryeministrit dhe në Gjykatë Kushtetuese roja, kopshtari, mirëmbajtësi kanë koeficientin 3.1.

Dallimi në pagë rritet me nëpunësit që kryejnë detyrat e njëjta në gjykatë dhe prokurori. Sipas propozimit, roja, kopshtari, mirëmbajtësi kanë koeficientin 3.

Ndërsa në ministri për këta nëpunës është paraparë koeficient edhe më i ulët, 2.94.

Sipas projektligjit të ti për paga, në institucionet e pavarura kushtetuese, agjenci të pavarura dhe rregullator, roja, kopshtari, mirëmbajtësi kanë koeficientin 2.92.

Pagën më të vogël, si nëpunës civil dhe mbështetës, pritet ta marrin roja, kopshtari, mirëmbajtësi në agjenci ekzekutive, komuna dhe administratë të shërbimit publik.

Në projektligjin e ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Deri në publikim të këtij shkrimi, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por as edhe kush ka qenë në grupin punues të projektligji të ri për pagat në sektorin publik.

Projektligji nuk e përcakton vlerën e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ndërsa, për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit thuhet se do të përcaktohet me ligjin për buxhetin.

Në lidhje me projektligjin për paga ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili i ka quajtur deziformata raportimet e media, pasi që sipas tij nuk ka draft final.

“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Më pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërs në projektligjin e ri koeficientët janë deri në 20.

Projektligji i ri për paga ende nuk ka shkuar për miratim në Qeverinë e Kosovës.