Kontesti maratonik Dardafon - Telekom, Gjykata Komerciale nxjerrë atkvendim

Me aktvendimin e datës 07.06.2024 Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale e kanë vërtetuar vendimin e Dhomës së Shkallës së Parë në favor të Dardafon.net në çështjen përmbarimore që e njëta kompani ka me Telekomin e Kosovës.

Aktvendimi i marrë nga gjyqtari Dren Rugova e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Telekomit të Kosovës kundrejt vendimit të shkallës së parë të Komerciales së datës 16.02.2024.

Kështu ky aktvendim e ka shfuqizuar pjesën e borxhit prej 282,931.51 € e cila ishte e përfshirë në urdhërin për lejimin e përmbarimit të datës 15.07.2019.

Ndërkohë që ka mbetur në fuqi urdhëri për lejimin e përmbarimit i lejuar nga Përmbaruesi Privat Ilir Mulhaxha, për pjesën e detyrimit në shumën prej 5,449,939.83€ .

Kujtojmë se përmes aktvendimit paraprak Komercialja, e kishte detyruar Telekomin e Kosovës që t`ia paguaj “Dardafon”-it shumën prej 5,732,871.34 euro. Obligimi financiar në fjalë ishte urdhëruar të kryhet në afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Me këtë vendim gjithashtu janë refuzuar ankesat e ndërmarrjes publike kundrejt pikave 2, 3, 4 të vendimit paraprak të Komerciales.

Përkatësisht ka mbetur në fuqi refuzimi i tërësishëm i ankesës së Telekomit me të cilën ishte kërkuar që të anulohet si i kundërligjshëm urdhëri i përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha i datës 01.11.2022 për kryerjen e pagesës në mënyrë vullnetare në shumën totale prej 6,066,427.51 €, si dhe të shfuqizohen të gjitha veprimet e ndërmarra përmbarimore.

Gjithashtu është vërtetuar hudhja poshtë si e palejuar kërkesa e Telekomit e datës 14.01.2022 me të cilën ishte kërkuar që të caktohet masa e përkohshme e sigurimit dhe pezullimi i procedurës përmbarimore i datës 15.07.2019.

Njëjtë ka ndodhur me pikën 4 e cila kishte hedhur poshtë kërkesën e Telekomit me të cilën kishte kërkuar që të detyrohet kompania e njohur si “Z Mobile “ që deri në përfundimin e procedurës përmbarimore, të deponojë në llogarinë e gjykatës apo në një llogari tjetër të veçantë mirëbesimi, mjetet e inkasuara në vlerën prej 13,116,165.73 €.

Në pikën e fundit të këtij aktvendimi është refuzuar ankesa e Telekomit kundrejt Aktvendimit të Komerciales e datës 15.03.2024, me ç’rast vendimi në fjalë është vërtetuar.

Dhomat e Shkallës së Dytë pas shqyrtimit të aktvendimit të atakuar, pretendimeve ankimore të debitorit dhe shkresave të lëndës, erdhën në përfundim se ankesa e debitorit për parregullsi kundër përmbarimit është e pabazuar, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Për ta lexuar aktvendimin e plotë klikoni këtu.

Raportimet paraprake të Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Historiku i kontesit Telekom – Dardafon

Në vitin 2015 “Z-Mobile” (Dardafon.net) iu drejtua Arbitrazhit pas pretendimit se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndante numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G. Tribunali i Arbitrazhit, kishte vendosur në favor të “Dardafon.net”.

Sipas Telekomit, vendimi i Arbitrazhit ishte mbi 27 milionë euro, kurse Telekomi pretendon se kishte kryer pagesa në emër të vendimit të Arbitrazhit në shumën prej rreth 40 milionë euro ndaj “Dardafon”-it.

Sipas pretendimeve të Telekomit të Kosovës, kompanisë “Dardafon” i janë paguar mbi 13 milionë euro më shumë.

“Sipas Konkluzionit të organit përmbarues, si dhe sipas ekspertizës financiare e po ashtu sqarimeve të dhëna të ekspertit financiar në seancën e datës 25.04.2023, gjykata vlerësoi se detyrat për nxjerrje të provës me ekspertizë financiare janë dhënë në mënyrë të duhur dhe në kuadër të kufijve të titullit përmbarimor, në raport me zhvillimet në procedurë përmbarimore si deri më tani’’- thuhet në vendimin e Gjykatës.

I njëjti në ekspertizë kishte përcaktuar se Telekomi i Kosovës ka mbetur pa i paguar “Dardafon”-it edhe rreth 5,732,871.34 euro.

Tutje, i njëjti kishte deklaruar se nga llogaritja e borxheve të Telekomit ka filluar nga paraqitja e urdhërit për përmbarim, pra nga propozimi për një urdhër të tillë dhe në bazë të marrëveshjes së arritur mes palëve të datës 17.11.2020.

Telekomi i Kosovës kishte propozuar që të bëhet një ekspertizë e re financiare për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Gjykata e Prishtinës me konkluzion, më 25.04.2023, kishte refuzuar propozimin e Telekomit të Kosovës për një ekspertizë të re për rastin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”.

Sipas vendimit të Gjykatës, debitori – Telekomi i Kosovës Sh. A., e kishte kundërshtuar këtë ekspertizë në vazhdimësi edhe gjatë mbajtjes së seancave dëgjimore në riprocedurë.

Sipas vendimit, Gjykata ia ka falur besimin ekspertizës financiare – plotësimit të saj të datës 31.01.2023 të realizuar në procedurë përmbarimore nga eksperti financiar Remzi Ismajli.

Përmes aktvendimit të fundit i nxjerrë më 16.02.2024, Gjykata Komerciale – Dhoma e shkallës së parë, e ka detyruar Telekomin e Kosovës që t`ia paguajë “Dardafon”-it shumën prej 5,732,871.34 euro. Ky obligim financiar Gjykata ka urdhëruar që të kryhet në afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Më 01.03.2024 përmes një komunikate Telekomi kishte bërë të ditur se u janë bllokuar llogaritë bankare nga përmbaruesi privat Irfan Kërçagu, për shumën 5,814,196.29 euro.