Konjufca: Sa më afër njëra-tjetrës, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria sa më afër njëra tjetrës të jenë, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit shqiptar.

Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, Konjufca ka folur edhe për Adem Jasharin, e për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Historia jonë kombëtare është sikur një substancë e vetëdijshme, e cila shpaloset përmes  28 nëntorit. Pikërisht në këtë ditë lindi heroi i madh i shqiptarëve Adem Jashari, i cili duke luftuar për atdhe, së bashku me Hamzën e bacën Shaban u sakrifikuan me familjarë e bashkëfshatarë në Prekazin legjendar. Kjo rënie heroike i dha hov epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u shfaq në Drenicë, me 28 nëntor po ashtu” – tha Konjufca.

Tutje, Konjufca tha se kombi shqiptar ka arritur shumë deri në ditët e sotme, por ai tha se rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë.

“Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s  dhe vend kandidat për BE, kurse Kosova e aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në familjen evropiane. Orientimi i jonë gjeostrategjik kombëtar është i parezervë drejt BE-së, brenda NATO-s dhe në miqësi të thellë dhe të përheshme me SHBA-të” – tha Konjufca para deputetëve të të tyja Kuvendeve.

“I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet i lidhur me Rusinë, është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj, që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shtetit tonë. Serbia na Lufton nga brenda dhe nga jashtë, prej diplomacisë e deri tek financimi i grupeve që janë të lidhura me krimin, brenda vendit tonë”.

Për herë të parë në histori, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë po mbajnë mbledhje të përbashkët, për të shënuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.