Glauk Konjufca e Lindita Nikolla, duke bërë homazhe në nderim të fëmijëve të vrarë në luftë/ Foto: Kuvendi i Kosovës

Konjufca e Nikolla nderuan fëmijët e vrarë në luftë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kanë bërë homazhe në nderim të 1133 fëmijëve të vrarë nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovë.

Pranë pllakës përkujtimore për fëmijët e vrarë, të vendosur në oborrin e Kuvendit, të dy kryetarët vendosën lule të freskëta, duke kujtuar se “liria erdhi me sakrificë e dhimbje të papërshkrueshme, me shumë jetë të pafajshme të ndërprera në mes, ndër to edhe me fëmijë që nuk u kursyen nga aparati kriminal i shtetit serb”.

“Sot, ndajmë triumfin e lirisë, por ndajmë edhe dhimbjen, duke iu përkulur së bashku veprës sublime të të rënëve, me zotimin për drejtësi ndaj tyre, e me përkushtim që me punën tonë të nderojmë sakrificën e tyre”, u shpreh Konjufca.

Të dy, Konjufca e Nikolla, kanë mbajtur edhe fjalime në Kuvendin e Kosovës me rastin e shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe.

Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.