Ilustrim: Kallxo.com

Konfiskohen 49 vetura për shmangie nga dogana

Policia në rajonin e Pejës ka njoftuar se për vetëm dy muaj ka konfiskuar 49 vetura për shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Në njoftimin e policisë thuhet se  gjatë muajit tetor dhe nëntor të këtij viti, gjatë kontrolleve rutinore dhe planeve të ndryshme kanë hasur në 49 automjete pronarët e së cilëve i janë shmangur pagesave.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit dhe me Doganën e Kosovës, automjetet e konfiskuara janë dërguar në terminalet doganore të cilat janë detyruar të bëjnë pagesën për zhdoganimin e këtyre automjeteve”, thuhet në njoftim.

Ndërsa ndaj pronarëve të automjeteve janë iniciuar procedura ligjore dhe të njëjtat janë dërguar në Prokurorinë e Shtetit për procedura të mëtutjeshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që kanë në posedim mjete motorike e që nuk i kanë kryer obligimet doganore, para se të dalin në rrugë t’i kryejnë këto obligime, përndryshe Policia e Kosovës ndaj  këtyre ngasësve të automjeteve do të ketë zero tolerancë.