Policia/Ilustrim

Policia në Pejë kontrollon transportin publik me fillimin e vitit shkollor

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Pejë ka njoftuar se me fillimin e vitit të ri shkollor ka filluar të bëjë kontrolle në transportin publik.

Sipas njoftimit, policia në Pejës gjatë ditës së djeshme ka filluar implementimin e planit operacional për shtimin e masave në kontrollin e transportit publik.

“Ky aktivitet policor është marr me fillimin e fazës së dytë të procesit mësimor të vitit shkollor 2020/21, ku kemi edhe rritje të numrit të udhëtarëve dhe të nxënësve që shfrytëzojnë mjetet e transportit publik. Dje në orët e mëngjesit është filluar me aktivitetin policor, duke bërë kontrollin detal te të gjitha subjekteve që ofrojnë transport publik (autobus, kombibus, si dhe taksive), e që sipas vendimeve të Qeverisë obligohen të punojnë me kapacitet të përgjysmuar sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo qytetar”, thuhet në njoftim.

Njësia e Komunikacionit Rrugor në Pejë, në implementim të këtij plani gjatë ditës së parë të aktivitetit, ka lëshuar shtatë gjoba për pronarët e kompanive të transportit publik në Pejë, si dhe disa gjoba për udhëtar që nuk kanë respektuar ligjin anti-COVID, për mos bartjen e maskave.

Policia në Pejë ka bërë të ditur se aktiviteti i tillë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.