Koncesionet ndaj Erdoganit

Rexhep Tajip Erdogan i siguroi vetes një koleksion koncesionesh në këmbim të miratimit të tij për ofertën e Suedisë në NATO. Përveç përpjekjes konkrete të Suedisë për ta luftuar terrorizmin në ligj dhe zbatim, koncesione të tjera me shkallë të ndryshme kohore do t’i shërbejnë atij për të bërë lojë gjeopolitike nëse është e nevojshme.

Para së gjithash, ka dy marrëveshje për ushtrinë turke. Me administratën amerikane, Turqia e finalizoi një marrëveshje për 40 avionë F-16, si dhe më shumë se 900 raketa ajër-ajër dhe 800 bomba, sipas Middle East Eye. Dorëzimi mund të marrë kohë: nevijtet miratimi në Kongresin e SHBA, dhe gjithsesi, do të duhen të paktën tri vjet për ta filluar prodhimin e atyre avionëve luftarakë, pasi regjistrat e porosive janë tashmë plot. Marrëveshja e dytë e finalizuar me sukses nga Turqia është ajo me Kanadanë, e cila u angazhua për heqjen e barrierave të saj të eksportit në shitjen e armëve në Turqi. Otava vendosi një embargo armësh pas ofensivës ushtarake të Turqisë në Siri në vitin 2019. Ata u tërhoqën një vit më vonë, por e pezulluan përsëri pasi pamjet shfaqnin se sistemet e tyre optike ëescam po përdoreshin në dronët e përdorur në Nagorno-Karabakh në tetor të vitit 2020, ku Turqia po e mbështeste trupat e Azerbajxhanit kundër forcave armene. Turqia është mbështetur shumë në optikën e avancuar nga Kanadaja për dronët e saj.

Më pas, papritmas, Erdogan i shtoi kësaj menyje edhe anëtarësimin në BE. Kjo erdhi pas sigurimit nga Charles Michel, të cilin Erdogan e takoi përpara se ta bënte njoftimin e tij. Premtimi i Michel për ta ringjallur aplikimin e Turqisë për anëtarësim në BE është i çuditshëm pasi Komisioni Evropian vetëm disa orë më parë refuzoi një kërkesë të tillë, shkruan Euractiv. Pra, a ishte kjo një fatkeqësi e Michel? Me gjasë jo. Gjithsesi do të vlerësohet gjendja e statusit të anëtarësimit të Turqisë në BE. Mirëpo, duke e lidhur shkrirjen e procesit të pranimit të Turqisë në BE me pranimin e Suedisë si anëtare e re e NATO-s, Erdogan ka shkaktuar një tjetër kthesë në politikën e BE-së. Gjermanët tashmë kanë refuzuar t’i ndërlidhin këto të dyja, dhe po kështu do të bëjnë të tjerët dhe Komisioni Evropian. Edhe nëse shkrirja e liberalizimit të vizave mund të ndodhë përfundimisht, një gjë e tillë nuk do të ndodhë së shpejti. Kjo mund të ofrojë një arsye që Erdogan ta vonojë miratimin parlamentar të pranimit të Suedisë.

Turqia ka pritur për anëtarësimin në BE që nga viti 2005. Pavarësisht nëse Suedia do të anëtarësohet në NATO shpejt apo jo, Erdogan u sigurua që mesazhi politik se sa instrumentale është Turqia nuk do të shpërdorohet./Eurointelligence.com

Përgatiti: Nuhi Shala