Komuniteti i biznesit kërkon mbështetje financiare nga Qeveria

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar  përfaqësuesit e komunitetit të biznesit.

Sipas njoftimit të zyrrës së kryeministrit, takimi kishte karakter konsultativ dhe informues, para masave të reja për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid 19,  të cilat sot pritet të bëhen publike.

“Masat e  reja janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në përputhje me protokollet e përdorura në vende te BE-së, konform gjendjes pandemike në vend”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë po ashtu bëhet e ditur se përfaqësuesit kanë kërkuar që Qeveria ti mbështetë ata.

“Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit e falënderuan Kryeministrin Hoti për mbështetjen e deritanishme financiare, në vlerë prej 60 milionë euro dhe shprehën mirëkuptim për masat e reja. Por nënvizuan nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Qeverisë për këtë komunitet”, thuhet tutje aty.

Tutje në këtë takim është theksuar nevoja e vazhdimit të punës së Grupit Koordinues për të menaxhuar situatën me pandeminë Covid 19, në të cilin pjesëmarrës janë odat ekonomike, anëtarë të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.