Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Zhelinës pa deponi funksionale të mbeturinave

Komuna e Zhelinës në Maqedoninë e Veriut ka deponi në fshatin Debërcë, por që nuk është funksionale.

Zgjidhja e problemit të deponisë premtohet në çdo mandat nga kandidatët e partive politike, por deri më tani nuk është realizuar si projekt.

Mos funksionimi i i deponisë në Debërcë, ka mundësuar që të krijohen deponi ilegale përreth qytetit të Zhelinës.

Qytetarët e pandërgjegjshëm hedhin mbeturinat në deponi ilegale në fshatin Leshnicë dhe në rrugën Trebosh-Tetovë.

Kandidati i Lëvizjes Besa për kryetar të Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu që është edhe kryetar aktual tha në Debat Pernime se këtë deponi e ka gjetur që në fillim të mandatit, por që thotë se në mandatin e ardhshëm do t’i bëhet zgjidhja.

“Ne me një kompani sllovene dhe italiane, kemi gjetur edhe fondet, kemi përgatitur edhe projektin e fizibilitetit edhe projektin detajor. Jemi në procedurë qeveritare për investuar në ndërtimin e një fabrike riciklimit, që do të jetë e ngjashme si në Elbasan dhe Fier. Rigjenerim i mbeturinave do të thotë asgjësim mbeturinave dhe me këtë ne mendojmë do ta zgjidhim këtë problematikë”, tha në mes tjerash Sedjiu.