Komuna e Shpend Ahmetit e lë të izoluar qytetarin me karrocë

Me shumë vështirësi, Bekim Zeqiri, detyrohet çdo ditë që të kalojë disa shkallë për të hyrë në banesën e tij në Prishtinë.

Ndonëse në karrocë invalidore, Zeqiri i cili banon në lagjen ‘Dardania’ ende nuk ka pjerrinë në hyrje të vendbanimit.

Ai ankohet se javë më parë punimet kanë filluar por u mbeten në gjysmë, duke vështirësuar kështu ende më shumë qarkullimin e tij.

‘Kam bërë kërkesën në 2018-tën në muajin shtator për me ndreq hyrjen e banesës teme por deri më tani nuk është realizu kurrgjë. Siç pe shihni para dy jave për dy ditë kanë punu me e qel një kanal, ka nejtë dy tre ditë edhe prapë është mbyllë. Po thonë në Komunë se nga banorët është mbyllë unë nuk pe di se çka më bë më shumë”, shprehet ai.

Zeqiri deklaron se ka vendosur disa mbajtëse anash murit që të mbahet teksa ngjitet shkallëve, por ai thotë se gjithmonë i nevojitet edhe asistenca e dikujt.

“Unë prej këtyre gypave[mbajtëseve], mbahem. Detyrohet gruaja, fëmijët me dërgu e me lanë karrocën në veturë e me u mbajtë unë në këto gypa e mandej me shumë vështirësi me hyp shkallëve e me hypë në liftë e pastaj brenda me shumë vështirësi”, tha 47 vjeçari.

Përveç pjerrinës, ai kishte kërkuar edhe një vendparkim. Një vendim i muajit maj i Komunës së Prishtinës ia kishte lejuar këtë.

Por, 47 vjeçari thotë se vendimi nuk u zbatua.

“Në 2018-ten në të njëjtën kohë kam kërku edhe vend për parkim të karrocës – veturës. Më është lëshuar vendimi në muajin e gjashtë të këtij viti, por asnjëherë nuk kanë dal punëtorët këtu me vendos ku është vendi i parkimit”, përfundon Zeqiri.

Për këto çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës por të njëjtit ende nuk janë përgjigjur.