Badovc

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës vendos për mbrojtjen e Badovcit nga ndërtimet

Komuna e Prishtinës ka vendosur përfundimisht që të mbrojë Liqenin e Badovcit nga ndërtimet.

Në mbledhjen e asamblesë gjatë javës së kaluar është marrë vendim që të gjitha pronat në zonën 1 dhe 2 në afërsi të liqenit të Badovcit të këmbehen pas kërkesave të pronarëve privat të tokave përreth.

Me 20 vota për, 1 kundër dhe 5 abstenime u miratua propozim-vendimi për këmbimin e pronave të Shaban Kongjelit dhe Rahman Haradinit, të cilët kanë paraqitur kërkesë për shpronësim pasi iu është mohuar e drejta për investime në tokën e tyre.

Në mesin e kërkesave në asamble kishte qenë edhe prona ku ishte planifikuar projekti ndërtimor pranë Liqenit të Badovcit, “Lakeside Gardens”.

Dy kompanitë ‘4M Group’ dhe ‘KAWA Group’ dhe pronari i tokës Rrahman Haradini kishin nënshkruar në 2020 një marrëveshje tri-palëshe që të realizonin këtë projekti ndërtimor.

“Kemi marrë një letër prej ministrisë në momentin që ne kemi pezulluar ndërtimin nga pronarët ku ka thënë se tani më duhet t’i shpronësoni, ose duhet me i pagu me pare ose me i këmby. Ia kemi bë një vlerësim të krejt pronave në zonën 1 dhe 2, nuk kemi buxhet të mjaftueshëm për me ja u ble. Kështu që do të mundohemi me këmby për secilën palë që vjen me kërku të drejtën, deri më tash i kemi dy kërkesa dhe me këtë e zgjidhim edhe një problem të madh që sot e 700 vjet ndërtim rreth Badovcit të mos ketë në zonën 1 dhe 2. Po flas për zonën që është pjesë e Komunë së Prishtinës sepse një pjesë është edhe e komunës së Graqanicës. Për pronën tonë do të mbesin shumë pak pronarë privat sepse ka pasur presion të madh që viti i kaluar”, ka thënë Ahmeti në mbledhjen e asamblesë.

Drejtori i Planifikimit Strategjik, Genc Bashota, thotë se Badovci do të mbetet zonë e mbrojtur.

“Kjo edhe ishte arsyeja e këmbimeve të pronave në zonën 1 dhe 2, në mbledhjen e së hënës në mënyrë që të zbatohet vendimi paraprak i Kuvendit Komunal për zonën e mbrojtur rreth Badovcit, gjë e cila e pamundëson çfarëdo ndërtimi në atë zonë në të ardhmen”, është deklaruar Bashota.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për planet e ndërtimit të kësaj lagjeje.

Badovci rrezikohet nga ndërtimet, institucionet hedhin fajin te njëra-tjetra

Komuna e Prishtinës: Pas vendimit të Ministrisë, kemi lëshuar kushtet e ndërtimit në Badovc

Shpend Ahmeti flet për projektin për ndërtimin e vilave pranë liqenit të Badovcit

Qeveria e obligon Shpend Ahmetin ta anuloj vendimin për ndërtimet në Badovc

Eksperti i ujërave tregon se a duhet të lejohen ndërtimet në Badovc – VIDEO

Ministria e Ambientit: Ne nuk kemi lëshuar asnjë leje për ndërtimet në Badovc

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.