Shpend Ahmeti flet për projektin për ndërtimin e vilave pranë liqenit të Badovcit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj pretendimeve për ndërtimin e disa vilave afër Liqenit të Badovcit, në Prishtinë.

Ahmeti në ‘Facebook’ ka shkruar se kompania nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, ndërsa ka aplikuar për kushte ndërtimore.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, në vitin 2015 Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e territorit të Gërmisë nga 900 hektarë në 2 mijë hektarë dhe ka marrë statusin e pejsazhit të mbrojtur sipas Ligjeve në fuqi.

“Një pjesë e pejsazhit është rreth Badovcit. Në vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillojmë trajtimin e ujrave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në liqenin e Badovcit”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017 dhe kjo nuk bën të rrezikohet.

Sipas tij, Liqeni i Badovci është pasuri shtetëore në pronësi të Shtetit të Republikës së Kosovës dhe se vendimet për mbrojtjen e Liqenit dhe masat tjera mbrojtëse i merr niveli qendror.

“Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 2013”, ka shkruar Ahmeti.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.