Komuna e Prishtinës hap konkurs për 120 bursa për studentë

Të gjithë studentët e kryeqytetit që studiojnë në universitetet publike të Kosovës, do të kenë mundësi që të fitojnë bursë komunale këtë vit akademik.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim për media, ku është thënë se konkursi do të jetë i hapur 15 ditë që nga sot.

“Komuna e Prishtinës ndanë 120 bursa për studentët që studiojnë në universitetet publike të Kosovës, për vitin akademik 2019 /2020. Konkursi mbetet i hapur 15 ditë nga dita e shpalljes në mjetet e informimit publik. Aplikacioni i kërkesës merret dhe i plotësuar dorëzohet në sportelet e katit përdhes të Komunës së Prishtinës (ndërtesa e vjetër), çdo ditë pune prej orës 10:00 deri 15:00”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në konkursin e publikuar është treguar se fitues të bursave do të jenë 120 studentë, por nuk është treguar shuma e bursës.

Në këtë konkurs është theksuar se vetëm studentët e rregullt, së paku 10 vjet banorë të komunës së Prishtinës, pa asnjë dallim etnik, gjinor, race, fetar e politik që janë të regjistruar në fakultete të nivelit bachelor në universitetet publike të Kosovës kanë të drejtë të konkurrojnë.

Po ashtu ky konkurs është i hapur për të gjitha degët e fakulteteve.

Këtu mund t’i shihni kriteret e tjera.

Ndërsa, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), javën e kaluar e ka anuluar konkursin për bursa të saj për këtë vit akademik, për shkak të protestave të studentëve të disa degëve të fakulteteve që nuk ishin përfshirë në këtë konkurs.

S’arrihet marrëveshje mes MAShT dhe studentëve për bursat

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendimin për ndarjen e bursave e kishte marrë me 24 tetor dhe si kriter i ka përfshirë vetëm studentët e fushave të studimit të Bujqësisë-Veterinarisë, FShMN-së, Mjekësi e Përgjithshme, farmaci, stomatologji, teknik dhe shkenca të aplikuara.

Në vendim thuhej se kjo është marrë në bazë të Udhëzimit Administrativ për ndarjen e bursave, kryesisht të nenit 3, paragrafi 1.4, ku thotë se ministri e përcakton se cilat fusha duhet të përfshihen.

Që nga shpallja e këtij konkursi, studentët e Fakulteteve të Arteve, Edukimit dhe Shkencave Sportive kishin protestuar e bojkotuar ligjëratat si shenjë proteste për përjashtimin e tyre nga këto bursa.