S’arrihet marrëveshje mes MAShT dhe studentëve për bursat

Studentët e Fakultetit të Edukimit, Shkencave Sportive dhe ata të Arteve të UP-së, protestuan sot  para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në lidhje me ndarjen e bursave nga kjo ministri.

Ministri Shyqiri Bytyqi i ka thirrur në takim për të gjetur një zgjidhje në lidhje me konkursin për bursa, por se ata pas takimit kanë deklaruar se nuk kanë arritur marrëveshje.

Para se ata të takoheshin me ministrin, studentët kanë protestuar para MAShT me thirrjen “Gjithëpërfshirje”, kështu duke e kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në bursat e ndara nga kjo ministri për vitin akademik 2019/20.

Në emër të Fakultetit të Edukimit foli përfaqësuesi i studentëve, Shkodran Murturi i cili kërkoi anulimin e vendimit të MAShT për bursa të vetëm disa fushave të studimit.

“Kemi dalur para MAShT që të kërkojmë me anë të kësaj proteste anulimin e vendimit për mos përfshirjen e fakultetit tonë në konkursin e  shpallur për bursa të e vitit akademik 19/20, me pretendimin e tyre se ne nuk jemi prioritet për tregun e punës”, tha ai duke shtuar se ky fakultet është prioritet.

Ai shtoi se do ta bojkotojnë mësimin nëse nuk anulohet vendimi.

Kurse, Qendresa Ramabaja nga Fakulteti i Shkencave Sportive tha se sporti e ka promovuar Kosovën dhe me këtë anashkalim nga bursat është fyerje.

“Për ne është në fyerje sepse Kosova promovohet në rajon nga sporti dhe është një de motivim për vazhdimin e promovimit”, tha Bajraktari duke kërkuar po ashtu që të shqyrtohet apo anulohet vendimi.

Kurse përfaqësuesi i Fakultetit të Arteve, Edison Bibaj iu bashkëngjit atyre më pas duke treguar se sot ky fakultet e kanë bojkotuar mësimin.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendimin për ndarjen e bursave e ka marrë me 24 tetor dhe si kriter i ka përfshirë vetëm studentët e fushave të studimit të Bujqësisë-Veterinarisë, FShMN-së, Mjekësi e përgjithshme, farmaci, stomatologji, teknik dhe shkenca të aplikuara.

Në vendim thuhet se kjo është marrë në bazë të Udhëzimit Administrativ për ndarjen e bursave, kryesisht të nenit 3, paragrafi 1.4, ku thotë se ministri e përcakton se cilat fusha duhet të përfshihen. Konkursi është hapur me 28 tetor deri më 8 nëntor në ora 16:00.Në lidhje me këtë vendim, protestë kanë paralajmëruar edhe studentët e Fakultetit të Edukimit ditën e nesërme (05.11.2019).

Edhe dje ka pasur protestë para këtij institucioni në lidhje me këtë çështje nga ana e studentëve të Fakultetit të Arteve, ku pas kësaj para mediave foli u. d. i drejtorit në arsimin e lartë në MASHT, Burim Gashi, i cili tregoi se si ka ardhur deri tek ky vendim për bursa.

“Në këtë vit akademik 2019/20 ministri ka marrë vendim që t’i përkrahë studentët elita, në programet si në bujqësi si ekzakte duke i eliminuar tri programe atë të Arteve, Edukimit dhe atë Edukatës Fizike. Arsyeja pse ministri e ka marrë këtë vendim është për shkak të mungesës të tregut të punës, atë se çka sheh ministria si prioritet për tregun e punës, Kjo është politik e MAShT se si e sheh”, kishte thënë Gashi.