Komisioni për Media miraton raportin për Projektligjin për KPM-në

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar bashkë me amandamentet e tij, raportin për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 30.05.2024.

Sipas procedurave, projektligji do të shkojë në komisionet e përhershme bashkë me amandamentet, si tek ai për Buxhet, Mbikëqyrje të Financave Publike, të Drejtave të Njeriut.

“I votojmë këto amandamente që të vazhdojë ligji me këto amandamente. Ky raport me 6 vota për procedohet në katër komisionet e përhershme. Ju falënderoj të gjithëve për kontributin, KALLXO.com-it që na ka përcjellë live, OSBE, Zyrës së BE, NDI, AMPEK, që keni ndihmuar që ky ligj me qenë më i mirë”- u shpreh Valon Ramadani, kryetar i Komisionit parlamentar (LVV).

“Mendoj që është versioni më i mirë i ligjit”- ka thënë ai.

Në mbledhjen e 30.05.2024 që zgjati rreth gjashtë orë morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, Njazi Isaku, Fitim Haziri, Besim Muzaqi, Adelina Idrizi dhe deputetja e grupit multietnik Fidan Jilta.

Deputetët e LVV-së, Nijazi Isaku dhe Fitim Haziri kanë abstenuar.

Ky komision vendosi që sa i përket subjekteve të cilave nuk do të ju lëshohet leja e transmetimit të lihet se si e parasheh ligji i KPM-së.

Valon Ramadani, kryetar i komisionit parlamentar për media, tha se kjo po bëhet edhe pas opinionit ligjor nga ekspertja e Këshillit të Europës.

“Pse po e bëjë ketë më shumë ka të bëjë me atë se që është diskutu dhe sidomos me opinionin e fundit ligjor nga Këshilli i Europës. Propozimi është qysh është sot në ligjin për KPM, në ligjin për KPM atyre që nuk ju lejohet janë partitë politike, grupeve fetare apo individ që kanë pozitë politike . Është propozim i Këshillit të Europës, e është dhe mendim i qeverisë”- u shpreh Ramadani.

“Po pajtohem që për arsyeja të sigurisë të mbetet siç është në ligj”- Fidan Jilta.

Komisioni parlamentar për Media votoi edhe amandamentin i cili obligon KPM të hartojë rregullore për ndalimin e deziformimit.

“41.5 propozim amandamenti është që KPM harton rregullore për ndalimin e dezinformimit. Rregullorja përfshinë standardet e BE-së”- ka thënë tutje Ramadani.

Shënim: Më 31.05.2024, në ora 09:02, është redaktuar pjesa e artikullin lidhur me votimin e dy deputetëve, Fitim Haziri dhe Nijazi Isaku.