Komisioni për Ekonomi miraton kërkesën që masat emergjente për energji të shtyhen edhe për 30 ditë

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar kërkesën e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli që masat emergjente për furnizim me energji të shtyhen edhe për 30 ditë.

Kërkesa do procedohet për në seancë të Kuvendit me datë 8 nëntor.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli para Komisionit ka raportuar lidhur me furnizimin me energji elektrike në vend si dhe funksionimin e ndërmarrjeve në fushën e energjisë.

Ministrja deklaroi se gjatë verës disa njësi të KEK-ut kanë qenë në remont andaj ka pas probleme me prodhim.

“Gjatë muajve të veres disa njësi kanë qenë në remont, kemi pas probleme në prodhimin e energjisë. Për shkak të çmimeve të larta gjatë verës, qeveria ka marrë vendim për shpalljen e masave emergjente për furnizim me energji. Po kërkojmë shtyrjen e këtyre masave edhe për 30 ditë”-  ka thënë Rizvanolli.

Rizvanolli përmendi edhe disa prej rekomandimeve që ka thënë komiteti emergjent sa i përket KEK-ut.

“Për gjatë kësaj periudhe, komiteti teknik emergjent ka qenë i mbledhur që nga 17 gushti, si trup këshillues, ka dhënë disa rekomandime: KEK rrymën që e merr nga KESH,  t’ia jap KEDS për furnizim”- shtoi më tej ministrja.

“Me 14 shtator janë vendosur masat e kursimit tek institucionet publike. Më pas është ndaluar eksporti i produkteve të drurit, përfshi edhe peletin. Kanë qenë masat edhe për pajisjet e prodhimit të kriptovalutave, që shpenzojnë shumë energji”- thekosi Rizvanolli.