Pal Lekaj: Diskriminuese rritja për qytetarët e Kosovës, kur paguajmë miliona për rrymën në veri

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj dhe kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, kanë debatuar për kërkesën e ZRrE-së për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike për rreth 15%.

Ky diskutim është bërë gjatë raportimit të Bordit të ZRRE-së në Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Deputeti i AAK-së e ka konsideruar të pakuptimtë kërkesën për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Sipas tij, është diskriminuese që qytetarëve të u rriten faturat e rrymës në ndërkohë që shpenzohen miliona euro për rrymën në veri të Kosovës.

“Njëjtë duhet m’u trajtu konsumatorët si në veri, si në jug, si kudo. Është diskriminuese që bëni rritje për qytetaret e Kosovës dhe ne paguajmë miliona për qytetarët në veri. Prapë është faji i kësaj qeverie që prapë vini të shtrenjtimi i energjisë. Kjo qasje e juaj po i dëmton qytetarët dhe mendoj qe duhet sa më shpejtë të merrni masa” – tha deputeti Lekaj.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së ka thënë se nga 2018-ta kosto e veriut nuk është përfshirë në tarifat për konsumatorët.

“Deri në 2018 kostoja e veriut ka qenë e përfshirë në kuadër të tarifave të konsumatorëve. Nga viti 2018 ajo kosto nuk është e përfshirë në tarifat e konsumatorëve dhe si e tillë nuk hyn. ZRrE-ja edhe sikur të don me e përfshi. nuk ka të drejtë, meqenëse ka një vendim të Gjykatës” – tha Fejzullahu.

Ndërsa deputeti Lekaj ka pyetur Bordin e ZRrE-së se ku ka mbetur marrëveshjen me “Elektroseverin”.

Lidhur me këtë Fejzullahu tha se ZRrE ka përmbushur pikën qe i takon në kuadër të kësaj marrëveshje me Serbinë.

“Një prej pikave që ka qenë obligim i ZRrE-së, ne e kemi përmbushur. Ajo ka qenë dhënia e licencës konform Marrëveshjes së Brukselit. Ndërsa pikat tjera janë obligime për palë tjera. ZRrE-ja si palë mbështetëse, në këtë rast e grupit negociator, është duke i kryer obligimet e saj karshi kësaj marrëveshje” – tha ai.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen.

Në anën tjetër, një javë më parë, ZRrE-ja ka miratuar të hyrat maksimale prej 398.4 milionë euro për KESCO-në apo 14.7% më shumë se vitin e kaluar.

Pra, 14.7 për qind apo rreth 50 milionë euro KESCO do t’i mbledh nga qytetarët e Kosovës për vitin 2023/2024.

Andaj, pritet që në Kosovë të ketë shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, për të cilën Bordi i ZRRE do të mblidhet përsëri javën e ardhshme.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se rritja do të jetë lineare duke prekur të gjitha kategoritë e konsumatorëve.