Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Qeveria miraton për së dyti masat emergjente për furnizim me energji elektrike

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot për së dyti masat emergjente për furnizim me energji elektrike.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri ministrja e Ekonomisë, Artane Rivanolli, për shkak se Kuvendi nuk e ka shqyrtuar brenda afatit kohor, pas miratimit për herë të parë.

“Kuvendi ka pasur 7 ditë për ta shqyrtuar propozim vendimin, mirëpo kuvendi nuk e ka shqyrtuar këtë vendim andaj afati ka kaluar dhe jemi të detyruar që ta riprocedojmë vendimin në kuvend. Vendimi është i njëjti me atë të kaluarin” – u shpreh Rizvanolli.

Më 11 janar Qeveria e Kosovës kishte miratuar masat emergjente për furnizim me energji elektrike, që ndër të tjera ndalon përdorimin e rrymës për kriptovaluta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se duke marrë parasysh që gjendja aktuale e furnizimit me rrymë mund të përkeqësohet dhe çmimet për import të energjisë mund të shënojnë ngritje, Ministria e Ekonomisë ka propozuar masat emergjente.

“Duke marrë parasysh që gjendja aktuale mund të përkeqësohet dhe çmimet për import të energjisë mund të shënojnë ngritje gjatë këtij muaji dhe në vijim, ME ka propozuar masat emergjente për furnizim me energji”- tha Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se ndalohet përdorimi i energjisë për kriptovaluta.

“Duke qenë se furnizimi me energji vazhdon të ketë lidhje me rritje të çmimeve që pritet të jenë gjatë muajit shkurt dhe mars sipas ligjit për energjinë propozojmë masat emergjencës për furnizim me energji. Ndër të tjera ndalohet përdorimi i energjisë për kriptovaluta. Masa shtesë do të ndërmerren sipas nevojës dhe rekomandimeve të komitetit teknik emergjent siç parashihet me ligj”- shpjegoi ajo.

Gjithashtu, Qeveria ka marrë vendim për ndarje prej 5 milionë euro për subvencionimin energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kjo shumë do të shfrytëzohet për mbulimin e mbështetjes për qytetarët për subvencionimin e energjisë elektrike.

“5 milionë e 25 mijë euro, shfrytëzohet për mbulimin e subvencionimit të kursimit të energjisë elektrike pra është masa që kemi lansuar ku po përfitojnë rreth 200 mijë qytetarë çdo muaj. Pjesa e 25 mijë euro për disa pagesa që janë bërë në kuadër të pakos për përballje me inflacionin mirëpo për shkak të gabimeve në llogari bankare janë kthy mbrapa dhe duhet të riekzekutohen”- njoftoi Murati.

Në seancën e 10 tetorit, Kuvendi pati marrë vendim për zgjatjen për 30 ditë të masave emergjente të furnizimit me energji.

Ndërsa dy ditë më parë, përmes një video mesazhi, kanë bërë thirrje për kursimin e energjisë, duke thënë se dy muajt e ardhshëm janë kritik.