Komandanti i NATO-s në Kosovë Ross Walker dhe drejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut - Veton Elshani, Foto nga: Noah Moroski

Komandanti i trupave amerikane në Kosovë: Jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë në Kosovë

Komandanti i trupave paqeruajtëse amerikane në Kosovë, koloneli Ross Walker, ka bërë të ditur se forcat e NATO-s janë të gatshme të reagojnë ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë në Kosovë, raporton Reuters.

NATO ka shtuar praninë dhe patrullimet e saj me 1000 trupa të tjerë në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.

“Ne jemi të gatshëm, të trajnuar dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë këtu tani. Edhe pse ne jemi të gatshëm, dëshira dhe lutja jonë është që t’i bëjmë gjërat përmes një dialogu të qetë në fillim” – ka deklaruar Walker.

Në anën tjetër, më 24.01.2024 edhe komandanti i KFOR-it në Kosovë gjeneralmajor Ozkan Ulutas kishte deklaruar se forcat e NATO-s në Kosovë janë gati t’i përgjigjen çdo kërcënimi.

Më shumë se 570 ushtarë amerikanë shërbejnë nën misionin e udhëhequr nga NATO, i cili në total ka rreth 4,500 trupa të dislokuara.

Disa nga ushtarët amerikanë janë të vendosur në kampin “Nothing Hill”, në afërsi të Leposaviqit dhe patrullojnë rrugët që lidhin Kosovën me Serbinë.

Ata i parkojnë kamionët e tyre të bardhë dhe të pablinduar në afërsi të kufirit me Serbinë dhe pastaj ecin në afërsi të hekurave metalike të cilat deri më vonë mbanin shenja që sinjalizonin vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Këta ushtarë patrullojnë në këmbë dhe mbajnë vetëm pistoleta, një shenjë që tregon se gjërat janë qetësuar së fundi, thuhet në artikullin e Reuters të publikuar më 16.02.2024.

Mëngjesin e hershëm të datës 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Tre pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur po ashtu të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletëarrestim për Radoiçiq.

Përveç, Millan Radoiçiqit, lista e personave të cilët kanë një fletarrest nga INTERPOOL, përbëhet edhe nga 19 persona të tjerë të cilët dyshohen për sulmin terrorist në Banjskë.

16.02.2024, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se emrat e të gjithë të dyshuarve për sulmin në Banjskë janë vendosur në sistemin e INTERPOL-it.

Në bazë të të dhënave dhe emrave të këtyre persona, KALLXO.com ka identifikuar se në mesin e tashmë të kërkuarve me fletarrest, ka prej tyre që kanë qenë edhe pjesë e protestave të dhunshme në Zveçan kur u sulmuan ushtarët e KFOR-it. Po ashtu në mesin e të kërkuarve nga INTERPOL-i ka edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Autoritet në Kosovë pretendojnë se në sulm kanë qenë të përfshira institucionet nga Serbia.

Sulmi është dënuar si nga Bashkimi Europian ashtu edhe nga SHBA-ja, dhe për të është kërkuar hetim përpara vendosjes ose jo të masave ndaj Serbisë.