Koalicioni NISMA-AKR-PD mori 189 mijë euro nga buxheti i Kosovës nga zgjedhjet e vitit 2019

Koalicioni politik Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re-Partia e Drejtësisë (NISMA-AKR-PD) ka përfituar 189 mijë euro nga Fondi për mbështetje të subjekteve politike për vitin 2020.

Këto fonde (NISMA-AKR-PD) i ka fituar me 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës, shkruan në raportin vjetor financiar të miratuar sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Deputetët që kishin zënë ulëset e Kuvendit ishin Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Mirlinda Sopi-Krasniqi dhe Albulena Balaj-Halimi.

Në rezulatet përfundimtare të zgjedhjeve të vitit 2019, NISMA-AKR-PD kishte fituar 42.083 vota apo 5,002 përqind të votave.

KALLXO.com e ka siguruar raportin në të cilin thuhet se me Ligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2020, buxheti i aprovuar për programin Mbështetje e Subjekteve Politike ishte në shumë prej 4,200,000 euro.

Sipas raportit gjatë periudhës janar-dhjetor, sipas vendimit të KQZ-së, është transferuar buxheti në vlerë prej 3,780,000 euro te subjektet politike të cilat kanë fituar ulëse në Kuvend.

Ndërsa 10% e buxhetit në vlerë prej 420,000 euro është alokuar për grupet parlamentare dhe sipas kërkesave të tyre janë bërë të gjitha pagesat duke përfshirë edhe pagat e stafit.

Buxheti i shpenzuar është 4,177,306 euro apo shprehur në përqindje buxheti është shpenzuar 99.46%.

Për shumën prej 3,780,000 euro e cila iu është transferuar në llogaritë e subjekteve politike kanë raportuar me kohë sipas rregullave dhe formularëve të përcaktuar nga KQZ-ja.

Sa shpenzuan partitë politike nga Fondi për mbështetje të subjekteve në vitin 2020?