Bilall Sherifi - Foto: Facebook

Bilall Sherifi: Nisma Socialdemokrate do të jetë në Kuvend dhe në Qeveri

Bilall Sherifi, kandidat për deputet nga Nisma Socialdemokrate, është shprehur tejet optimist se koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD do ta kalojë pragun zgjedhor falë votave të diasporës të cilat nuk janë numëruar ende.

“Sipas përllogaritjeve tona, rezulton dhe në fund të procesit të numërimit të votave, të kutive të rregullta dhe votimit me kusht, NISMA pret të ketë rreth 40 mijë vota, dhe pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe këtyre te rregullta nga diaspora na janë konfirmuar mbi 3.500 ose 4.000 mijë vota, pra vetëm votat e NISMËS pa AKR-në, sepse edhe AKR-ja sipas informatave ka po ashtu vota në diasporë”, ka thënë Sherifi.

Sherifi në një konferencë për medie ka thënë që në total koalicioni të marrë 5.5 përqind të votave.

“Pra në total koalicioni NISMA-AKR-PD, do të sillet mbi 40-45 mijë vota dhe sipas përllogaritjeve mbi 5.5 për qind deri në 5.7 për qind, ku gjashtë mandate janë të sigurta dhe mund të luftohet për mandatin e shtatë”, është shprehur tutje ai.

Sherifi ka thënë që përderisa të tjerët festojnë për vendin e parë, Nisma feston që do të jetë pjesë e Qeverisë, për të arritur 61-shin magjik të numrave që duhen.

“Nëse të tjerët festojnë për shkak që kanë dalë të parët apo të dytët, Nisma feston për shkak se e ka arsyen të festoj se është bërë pjesë e parlamentit dhe pashmangshëm do të jetë pjesë e qeverisë, sepse numrat thonë që pa këto mandate të Nismës do të jetë e pamundur që të arrihet 61 magjik”, ka theksuar ai.

Deri më tani në bazë të numërimit të 98 për qind të votave nga KQZ, koalicioni Nisma-AKR-PD ka 4.9 për qind të votave.