Nisma Socialdemokrate - Foto: Facebook

Nisma: Me rinumërim të plotë të votave, marrim 7 mandate

Nisma Social Demokrate po vazhdon të besojë se ata bashkë me partnerët e koalicionit e kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5% të votave, por thonë se është dëmtuar vota që Nisma e ka pasë më 6 tetor.

Ish deputeti i Nismës Social Demokrate, Bilall Sherifi ka mbajtur një konferencë për media ku na folur për procesin e rinumërimit të disa kutive të votimit.

Ai ka paraqitur 6 kuti të votimi, në të cilat numri i votave të Nismës ka pësuar ndryshim.

Ai ka përmendur vendvotimin në fshatin e kryetarit të degës së Nismës në Drenas, Isa Xhemajlaj.

“Nisma në formular i ka pasur 0 vota, ndërsa pas rinumërimit kanë dal të jenë 34 vota, në fshatin Obri të Drenasit, në fshatin ku vjen kryetari i degës sonë, Isa Xhemajli. Pra kanë shkuar deri aty sa komplet votat që ia japin Nismës të i’a bartin një subjekti tjetër, apo të mos i lënë votat aty ku kanë dhënë qytetarët”, tha Bilall Sherifi në konferencë për media.

Ai ka përmendur edhe disa vendvotime tjera ku ka pasur ndryshime të numrit të votave nga ato që ishin vendosur në formular dhe ato pas rinumërimit.

Sherifi thotë se këto nuk janë gabime, por vullnet për të dëmtuar Nisman Social Demokrate.

“Ne jemi të bindur se ky rezultat për Nismës jo që nuk është i drejtë por është i deformuar në masë të madhe. Nuk bëhet fjalë për gabime, por kryesisht për vullnet që të dëmtohet Nisma Social demokrate në këto zgjedhje”, tha tutje Sherifi.

Ai ka kërkuar edhe njëherë që të ketë rinumërim të të gjitha votave. Sipas tij, procesi i rinumërimit do t’i siguronte Nismas 7 deputetë.

Sot e përsërisim kërkesën tonë që të ketë rinumërim të tërësishëm. Nga rinumërimi do të dalë e vërteta. Nëse do të ketë rinumërim të plotë, ne marrim 7 mandate, se për 6 kemi qenë të sigurtë që nga dita e parë”, tha në mes tjerash Bilall Sherifi.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara në KQZ-së pas futjes së të dhënave, Nisma nuk e kishte kaluar pragun prej 5%.

Nisma Social Demokrate ka qenë në koalicon parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re dhe Partinë e Drejtësisë.