Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KMDLNj reagon ndaj arrestimit të anëtarëve të PDS-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas arrestimit të pesë anëtarëve të Partisë Social Demokrate (PSD).

Të njëjtit kanë thënë se këto protesta ishin paqësore dhe se protesta është e drejtë e garantuar e njeriut si me konventa ndërkombëtare ashtu edhe me ligjet e zbatueshme në Kosovë.

Ata kërkuan që të fillohen hetime të shpejta nga Inspektorati Policor i Kosovës për të parë nëse zyrtarët policor kanë tejkaluar autorizimin e tyre përmes përdorimit të tepruar të forcës fizike.

Po ashtu, kërkuan që të hetohet nëse kjo forcë e përdorur ka qenë në shpërputhje me rrezikun real që e kanë paraqitur protestuesit.

“Këto dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës fizike policore ndaj protestuesve, KMDLNj e mbështetë në pamjet nga mediat elektronike”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas KMDLNj – së këta persona u arrestuan pasi që të njëjtët protestuan kundër ardhjes së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilovës në Prishtinë.

Të njëjtit thanë se respektojnë dhe përkrahin çdo protestë që bëhet në përputhje me Ligjin për Organizimin e Protestave, e cila është paqësore dhe e cila përjashton dhunën si veprim dhe qëllim për arritjen e synimeve të protestës.

Ata shtuan se një protestë e tillë ishte ajo e PSD-së.

KMDLNj përfundoi njoftimin e tyre duke thënë se Policia e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet ndikimit të politikës dhe se nuk duhet të vë në dyshim besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës që e kanë ndaj këtij institucioni.