Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Kllokot, ish-drejtori akuzohet se i dha paga infermieres pa ardhur në punë

Afër 10 mijë euro pretendohet të jetë dëmi i shkaktuar në Komunën e Kllokotit nga ish-Drejtori i Shëndetësisë që tani po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Miroslav Stoliq akuzohet se kishte lejuar që ish- infermierja Daniella Mirkoviq të merrte pagë pa qenë fare në punë, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 9 mijë e 979 euro.

Gjykata e Gjilanit sot ka vendosur që të bëhet një ekspertizë financiare në lidhje me të ardhurat personale të ish- infermieres.

Një vendim i tillë u mor pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ramadan Leka.

Trupi gjykues gjithashtu ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës që si provë materiale të merren regjistrat e ardhjes dhe shkuarjes nga puna të Daniella Mirkoviq nga shkurti deri në maj të vitit 2017.

Në seancën e sotme në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua ish-tekniku medicinal në Komunën e Kllokotit, Miroslav Steviq.

Dëshmitari deklaroi se kishte dhënë një deklaratë në prokurori dhe se qëndron pranë saj.

“Kam punuar në shtëpinë e shëndetit në Kllokot në periudhën kohore 2014  – 2018. Tash jam pezulluar nga puna. Në fillim nuk kemi pasur regjistër për ardhje dhe shkuarje nga puna, më vonë na e kanë sjellë atë”. Tha deshmitari Steviq.

Tutje ai ka thënë se e njeh Daniella Mirkoviqin dhe se ajo ka qenë e punësuar në shtëpinë e shëndetit por ai nuk e din nëse ajo ka shkuar rregullisht në punë.

Steviq shtoi se ai ka qenë teknik medicinal dhe se nuk ka qenë mbikëqyrës i punëtorëve për të shikuar se kush po shkon në punë e kush jo.

“Kompetent për shikimin e ardhjes së punëtorëve në punë ka qenë shefi i ambulancës Slavisha Marinkoviq. Mua më ka punësuar Komuna e Kllokotit, kontrata mes meje dhe komunës ka qenë e nënshkruar nga Miroslav Stoliq”, përfundoi Steviq.

Seanca e sotme u shty për muajin janar të vitit 2020.

Sipas aktakuzës Miroslav Stoliq, duke qenë në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë për Arsim, Shëndetësi, Shërbime Sociale, Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kllokotit kishte keqpërdorur detyrën.

Sipas prokurorisë, Stoliq e kishte pranuar në punë Daniella Mirkoviqin si infermiere më 11 janar 2016.

Aktakuza përshkruan se Mirkoviq  kishte pranuar të ardhura personale gjerë më 01 shkurt 2018, pa u lajmëruar fare në punë dhe pa i kryer detyrat e punës për të cilat ishte pranuar.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Miroslav Stoliq nuk kishte marrë asnjë veprim për shkëputjen e marrëdhënies së punës me të, përkatësisht ndalesën e pagesës së të ardhurave mujore sipas kontratës në lartësi prej 399. euro në muaj me të cilin veprim e ka dëmtuar buxhetin e komunës së Kllokotit me  9,979.90 euro.