Klinaku i reagon ministrit Sveçla lidhur me deklaratën se Faik Fazliu ka pasur "sjellje bandistike" ndaj policëve

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL- UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, pasi ky i fundit e quajti sjellje ‘bandistike’ atë të anëtarit të kësaj organizate, Faik Fazliu, gjatë një incidenti mbrëmë në Prizren.

Klinaku ka shkruar se ekziston video se si ka ndodhur rasti e, sipas tij, vetëm gjykata do të sqarojë rrethanat e ngjarjes.

Ai akuzoi edhe ministrin për sjelljen e tij ‘banditeske’ ndaj Policisë.

“Paska folur edhe ministri i brendshëm, duke deklaruar se ka kaluar koha e sjelljeve banditeske ndaj policisë. Mirë që ekziston video e aty shihet se kush çfarë ka bërë, dhe është vetëm gjykata ajo që do të sqarojë rrethanat e ngjarjes.   Ai i paska harruar sjelljet e tij banditeske që shumë herë i ka pasur ndaj policisë”, ka shkruar Klinaku në rrjetin social “Facebook”.

KALLXO.com raportoi mëngjesin e sotëm se pas një incidenti në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren është arrestuar ish- kryetari i OVL- UÇK, Faik Fazliu.

Sipas Policisë i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar policor të cilët ishin në asistim të Inspektoratit të AUV-it, gjatë inspektimeve për respektimin e masave kundër COVID- 19.

Gjatë ditës së sotme Klinaku bëri publike edhe disa pamje ku shihej Fazliu deri sa po fliste me disa zyrtarë policorë në një kafene në Prizren ndërsa pamjet tregojnë edhe një moment kur ai bie në tokë pasi zyrtarët policorë e shtyjnë atë. Faik Fazliu, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së është liruar para disa orëve nga mbajtja.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla Sveçla ka deklaruar se ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët”.

Sveçla për incidentin në Prizren: Ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen