Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sveçla për incidentin në Prizren: Ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas incidentit të mbrëmshëm në një kafene në Prizren, ku i përfshirë si i dyshuar fillimisht ka qenë anëtari i OVL- UÇK, Faik Fazliu.

Sveçla ka deklaruar se ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët”.

“Sundimi i ligjit në shtetin e së drejtës, nënkupton edhe ushtrimin e detyrës nga zyrtarët policorë pa pengesa. Ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët”. Përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë”. Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar ministri Sveçla.

KALLXO.com raportoi mëngjesin e sotëm se pas një incidenti në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren është arrestuar ish- kryetari i OVL- UÇK, Faik Fazliu.

Sipas Policisë i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar policor të cilët ishin në asistim të Inspektoratit të AUV-it, gjatë inspektimeve për respektimin e masave kundër COVID- 19.

Gjatë ditës së sotme Klinaku bëri publike edhe disa pamje ku shihej Fazliu deri sa po fliste me disa zyrtarë policorë në një kafene në Prizren ndërsa pamjet tregojnë edhe një moment kur ai bie në tokë pasi zyrtarët policorë e shtyjnë atë.

Faik Fazliu, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së është liruar para disa orëve nga mbajtja.