Kickert: LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së

Dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, diplomati austriak Jan Kickert, ka folur në Hagë edhe rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Kjo parti, sipas tij, asokohe nuk ka pasur qasje miqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë dëshmisë, Kickert tha se LDK-ja fillimisht e kishte mohuar ekzistencën e UÇK-së.

“LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së. Në fillim madje mohuan edhe ekzistencën e UÇK-së. Ne po ashtu kishim FARK-un, grupin e armatosur që financohej nga LDK-ja dhe Qeverinë e tyre në ekzil. Pra, kishte përplasje, fërkime politike, por besoj që këto fërkime ishin edhe në terren” – tha diplomati austriak.

Kickert, shtoi se LDK-ja e shihte UÇK-në edhe si kërcënim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, si të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.