Foto: KALLXO.com

KFOR nuk përgjigjet për largimin e barrikadave, thotë se janë vigjilent dhe të aftë për të zbatuar mandatin e tyre

Çështja e largimit të barrikadave që gjendet tash e gjashtë ditë në veriun e Kosovës nuk ka qenë pjesë e një përgjigjes që KFOR e ka dhënë sot.

Në këtë përgjigje ata kanë thënë se mbesin jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht të aftë për të zbatuar mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Kjo përfshin patrullimet e zgjeruara në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”- ka thënë KFOR.

KALLXO.com ishte interesuar të dijë nëse KFOR ka në plan që të veproj dhe t’i largoj barrikadat që u vendosën më 10 dhjetor 2022 në komunat veriore të Kosovës.

Këto pyetje u dërguan pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se KFOR ka kërkuar kohë për këtë çështje.

“KFOR po kërkon pak kohë që shpejtë ta kryej këtë punë, ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje le të quhet zbutje por për të mirën e përgjithshme jemi t`u e zgjedh rrugën më të mirë të mundshme”- ishte shprehur Kurti.

Në anën tjetër, në përgjigje është thënë se Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe Organizatat e Sigurisë së Kosovës dhe me Shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë.

Sot janë bërë gjashtë ditë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, gjë që ka bërë që edhe pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak të mbyllen për qarkullim.